Sociale

Varre mbi varre! Në Lezhë s’ka më tokë për të vdekurit! Qytetarët: Fusim 2-3 familjarë në një varr, i gjejmë vendet me mik! Bashkia: Do të investojmë në fshat

20 Tetor 2021, 14:17| Përditesimi: 20 Tetor 2021, 15:17

  • Share

Lezha, njëjtë si Durrësi po përballet me ezaurimin e tokës në varrezën publike për shkak të rritjes demografike. Qytetarët tregojnë se janë detyruar të hapin varret e vjetra të familjarëve, ndërsa bashkia shprehet se ka në projekt ndërtimin e një varreze të re në Kakarriq, por që duhet së paku një vit të realizohet.

Toka për të hapur varre të reja ka shteruar në varrezën publike të qytetit të Lezhës. Hermal Shabani rrëfen për Report Tv se është detyruar të prishë varrin e të birit për të futur në të njëjtin vend dhe nënën. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe anëtarët e tjerë të fisit.

 "Këtu kam varros vëllanë, këtu ka qene varri i djalit të vet. Kurse këtu është varri i vajzës së djalit të axhës është t'u e zhvarros për të fut babën e vet.  Aty kam varrin e djalit dhe kam fut nënën sepse s'ka vend! Po ku? Atje (në Kakarriq) nuk varrosen të vdekurit se toka është me ujë dhe jemi të detyruar me zhvarros të parët e varros ata që vdesin tani".- u shpreh ai.

Prej 3 vitesh në varrezat publike të qytetit është ezauruar hapësira, madje janë shfrytëzuar edhe rrugicat e brendshme. Valentina Ejlli dhe Donika Degjonaj tregojnë se janë detyruar të gjejnë mik apo të paguajnë nën dorë për një copë tokë.  

‘Nuk kishte vend dhe me ndihmën e bashkisë familjarët kanë gjet një vend këtu, se familja e tij kishte qejf me gjet një vend këtu afër në Lezhë. E vështirë është me mik e kanë gjet me mik dhe e kanë varros afër portës. Bashkia e Lezhës duhet të ndërhyjë për të pastruar dhe mirëmbajt varret, ferra dhe letra. hyn kushdo këtu S'ka respekt për të vdekurit.’-tha Valentina Ejlli.

"Shumë e vështirë për të gjetur vend, duhet të paguash lek. Duhet me i bë varr mbi varr, shumë problem është nuk ka vende, shqetësim i madh sepse sipër personit të familjes nuk mund të vesh person tjetër, s'mund të qash dy persona! Kjo nuk është e drejtë, duhen të hapën hapësira të reja".- u shpreh Donika Degjonaj.

Pjetër Ndreca, që punon si mirëmbajtës thotë se Bashkia ka projektuar të çelë një  varrezë të re në fshatin Kakarriq por qytetarët refuzojnë pasi toka nuk është e përshtatshme.

"Një burrë ka nxjerr nënën e ka fut gruan sepse nuk ka më vend për varre. Janë të detyruar të thyejnë varret ekzistuese. Atje (në Kakarriq) nuk është vend i përshtatshëm për varrezë, sepse toka ka ujë shumë".- tha Ndreca.

Nën/kryetari i Bashkisë së Lezhës, Ermal Pacaj shprehet se ndërtimi i varrezës së re në Kakarriq mund të nisë në pranverën e vitit të ardhshëm.

"Jemi përballë faktit se në varrezat e vjetra është ezauruar totalisht bashkia e Lezhës ka parë si opsion varrezat e reja në Kakarriq që kanë filluar të zhvillohen por jo brenda standardeve. Si hapësirë është e vetmja që ne kemi sot që ka kaluar të gjitha procedurat për të marrë OK që të zhvillohet si varrezë. Largësia nuk është arsye për tu diskutuar, ndërsa për infrastrukturën ka vend për diskutim.  Aktualisht ne kemi përfunduar projektin si për mbushjen e tokës, shtrimin e rrugës nga asfalti deri tek varreza, sepse sot s’ka rrugë është rrugë arash, prishjen e ndërtimit e urës së re, që të kalojnë edhe autobusët, që të ketë akses gjithashtu mbjelljen e pemëve. E gjitha kjo është parashikuar në buxhetin e vitit që vjen nga shkurti e marsi të fillojë puna dhe qyteti i Lezhës të ketë varrezën që meriton. Varrezat aktuale do të mbyllen s'do të lejohen për të hapur varre të reja përveç rasteve të varreve familjare, apo punonjësit për mirëmbajtjen, por jo për të shtuar kapacitetin e varreve.’ - tha Ermal Pacaj, nënkryetar i bashkisë Lezhë.

Zgjidhja duket se është e largët... Deri në ndërtimin e varrezës të re, banorët e Lezhës do të jenë duke u përballur me sfidën për të gjetur një vend prehje për të afërmit!

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 21/10/2021 02:03

    Shteti duhet te vere ne pune krematoriumet.Urnat zene me pak vend se nje varr i plote.E dime qe nuk eshte tradite shqiptare,por duhet te behet,ndryshe te vdekurit s'kane per te lene me toke per te gjallet.Ju lutemi redaksise nese ka mundesi, t'ua percjelle kete propozim organeve perkatese,se nuk po i japim si kuriozitete,po i japim qe t'a permiresojme vendin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?