Berat- Një vatër e madhe zjarri ka rënë edhe në pyllin pranë Uzinës së Poliçanit. Ngjarja ka ndodhur orët e vona të pasdites së sotme.
Flakët kanë marrë përmasa të mëdha, raporton gazetarja e Report Tv, Mimoza Sinanaj, teksa janë siguruar edhe pamjet e këtij zjarri, që vetëm rreth mesnatës është vënë nën kontroll duke nxjerrë jashtë rrezikut zonat e banuara, por vagtrat u mbajtën nën monitorim për shuarjen e plotë.
Më problematike situata ishte pranë “Zonës C” të uzinës, në të cilën ndodhen edhe magazinat me lëndë plasëse. Në vendngjarje kanë shkuar zjarfikëset, forca të ushtrisë, si dhe një helikopter i Bazës Kuçovës, për hedhje të ujit nga ajri.
Edhe kryetari i Bashkisë, Adriatik Zotka, ndodhet në vendngjarje, ndërsa ka bërë thirrje për ndihmë. Gjithashtu edhe drejtori i Uzinave Ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, Ardi Veliu, ishte pjesë e aksionit në terren.
Sipas Zotkës, shpërthimi në magazina ku ndodhen lëndët plasëse, do shkaktonte rrezikshmëri për lagjen Kalluç, e cila është vetëm 200 metra larg. I zgjedhuri vendor ka qenë vetë në krye të aksionit të zjarrfikësve duke i orientuar në ndërhyrje përgjatë vatrës dhe hedhjen e ujit, si dhe këshilluar të tregoheshin të kujdeshëm nga flakët.
"Ruani veten!", dëgjohet të thotë ai.
Teksa kryen edhe telefonata të pandërprera me autoritetet qendrore, duke kërkuar ndihmë dhe ndërhyrje nga ajri.
Operacioni për shuarjen ka vijuar për disa orë, derisa zjarri u lokalizua për të mos shkuar drejt magazinave me lëndë plasëse dhe zonave të banuara. Autoritetet thanë se rreziku ka kaluar, teksa forcat vijojnë monitorimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura. Intensiteti i flakëve ra ndjeshëm në orët e vona të mbrëmjes së sotme.
Komente
