Tre vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në masivin pyjor të Lofkëndit në Mallakastër, ku terreni i vështirë pamundëson ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.
Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj, pohon se përballë kësaj situate vetëm ndërhyrja nga ajri mund të bëjë të mundur izolimin e plotë të flakëve, të cilat përhapen me shpejtësi të favorizuara nga era.
Qerimaj pohon gjithashtu se në këtë ditë të tretë të përballjes me flakët, në terren janë angazhuar 11 mjete zjarrfikëse dhe rreth 130 forca zjarrfikëse, të ushtrisë dhe strukturave bashkiake, ndërsa thekson se sipërfaqja e përshkuar nga zjarri përllogaritet në 40 ha, kryesisht pisha të mbjella në vitet 70-80-të.
“Situata mund të themi se është nën kontroll fal edhe ndërhyrjes së strukturave vendore dhe qendrore. Kemi pasur angazhim maksimal me 11 mjete nga disa bashki dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përfshi 110 forca, mes tyre edhe të ushtrisë. Sot në mëngjes u bë evidentimi i vatrave të reja të zjarrit dhe presim ndërhyrjen nga ajri me avionë. Janë 3 vatra aktive aktualisht, që kërkojnë ndërhyrje nga ajri sepse terreni dhe era që favorizon zjarrin e vështirëson këtë ndërhyrje nga toka. Verifikimi i dëmeve do bëhet nga specialistët. E rëndësishme është sigurimi i banorëve dhe shtëpive. U bë shmangia e kalimit të zjarrit në një zonë të banuar që do ishte shumë problematike. Në pemë frutore nuk ka dëme të mëdha, janë të pakëta, kryesisht janë pisha dhe shkurre”, tha Ismailaj mes të tjerash për Report Tv.
Po sipas tij, menjëherë pas neutralizimit të plotë të zjarrit, komisionet e verifikimit do të dalin në terren për të bërë një bilanc të dëmeve, jo vetëm të pemëve frutore, por edhe të masivit pyjor.
Lajmi kryesor:
8 zjarre aktive në disa qarqe të vendit, vijojnë flakët në Tragjas të Vlorës, Mallakastër, Bërzhitë e Gjirokastër! Ndihmuan tre avionë nga Suedia e Kroacia
A.Q/ReportTv.al
