Vazhdojnë kërkimet për anëtarë e familjes së Pacollit, të zhdukur në lumin Lepenc

18 Qershor 2023, 12:18| Përditesimi: 18 Qershor 2023, 12:20

  • Share

Policë maqedonase

Njësit speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim po vazhdojnë kërkimet për tre shtetasit e Kosovës të zhdukur në lumin Lepenc afër Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve në Bllacë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, vetura me të cilën po udhëtonin katër persona, shtetas të Kosovës, është aksidenuar me një veturë tjetër me targa të Shkupit, dhe më pas vetura ka rënë në lumë.

Njëri nga katër personat që ndodhej në veturë ka arritur të dalë prej saj, ndërsa të tjerët së bashku me mjetin janë zhytur në Lepenc.

“Aksidenti ka ndodhur në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë, kur në një aksident trafiku janë përfshirë një veturë Volkswagen me targa të Shkupit, e drejtuar nga B.B. nga Shkupi dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, e drejtuar nga H.P. nga Kosova, e cila pas aksidentit ra në lumin Lepenc. Në automjetin BMW, përveç shoferit, ndodheshin edhe tre pasagjerë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori’, ndërsa për tre të tjerët policia vazhdon kërkimin”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Në momentin e aksidentit sipas policisë maqedonase, ka pasur prurje të mëdha të lumit Lepenc për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës njoftoi se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ata i ka shoqëruar zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e Maqedonisë së Veriut, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase”, thuhet në njoftim.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit, sipas MPJD-së, po marrin pjesë edhe njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës./REL


Lajmi kryesor:

Maqedoni e Veriut, makina bie në lumin Lepenc, humbin jetën tre anëtarë të familjes së Pacollit! Kurti: Prekëse (VIDEO)


M.T/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?