Foto nga momenti i ngjarjes në Pogradec

Vdekja e dhunshme e 42-vjeçarit, kryepolici Rrumbullaku urdhëron inspektimin e Policisë së Pogradecit nëse e fshehën krimin

12 Gusht, 11:00| Përditesimi: 12 Gusht, 18:03

  • Share

Tiranë- Vdekja e 42-vjeçarit Egli Proga pas një sulmi të dhunshëm fizik të shtunën e 10 Gushtit, ka detyruar kryepolicin Muhamet Rrumbullaku të nisë inspektimet e procedurave të kryera nga Policia e Pogradecit, në qarkun e Korçës.

Shkak u bënë lajmet dhe dyshimet e hedhura nga disa media ditën e djeshme, se Policia kishte fshehur krimin e vrasjes dhe mbrojtur autorin e sulmit fatal, Denis Meçi, që është i afërm i zyrtarëve të lartë vendorë. Sipas informacioneve, 29-vjeçari rezulton se është nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gore.

Më herët policia vendore e kishte mohuar përfshirjen e efektivëve në fshehje të provave, duke specifikuar se menjëherë pas ngjarjes identifikuan dhe ndaluan 29-vjeçarin Denis Meçi, si të dyshuar.

Por sot, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, urdhëroi inspektim në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, lidhur me ngjarjen në qytetin e Pogradecit.

Ngjarja dyshohet se erdhi si rezultat i përleshjes së dy palëve, teksa autori dyshohet se ka qenë i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë.

“Bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku, pas një konflikti, humbi jetën një 42-vjeçar”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit blu.

Dhe më tej sqarohet procedura që do të ndiqet:

“Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë”, duke siguruar edhe për angazhimin maksimal për zbatimin e ligjit.

Egli Proga u raportua se humbi jetën ditë dy ditë më parë (10 Gusht), pasi ishte rrëzuar në rrugë në gjendje të dehur në Pogradec. Por, nga hetimet e kryera rezultoi se ai ishte rrahur për vdekje dhe ka ndërruar më pas jetë në spitalin e Pogradecit.

Autori i ngjarjes dyshohet se është 29-vjeçari Denis Meçi, i cili u largua nga vendi i ngjarjes dhe u kap gjatë ndjekjes nga blutë e Pogradecit. Sherri ka ndodhur në ambientet e jashtme të një prej lokaleve të qytetit dhe të rinjtë besohet se kanë qenë në gjendje të dehur.

Viktima pasi u gjakos hyri për pak në lokal, por më tej doli në rrugë, ku dhe u shemb në asfalt. Autori dyshohet se ka qenë i shoqëruar edhe nga persona të tjera dhe verifikimet janë ende aktive.

Egli Proga, viktima dhe Denis meçi, i dyshuari për krimin

 

Ora 18:00
Familjarët e Egli Progës akuza se policia e Korçës fshehu vrasjen, reagon Avokati i Popullit: Kemi nisur verifikimin

1691521633_avokatiipopullit.jpg

Avokati i Popullit ka reaguar për vdekjen e 42-vjeçarit  Egli Proga, familjarët e të cilit hedhin akuza ndaj policisë së Korçës se janë përpjekur që ta fshehin ngjarjen. Në një reagim për mediat, Avokati i Popullit thotë se ka nisur verifikim për veprimet dhe procedurat e ndjekura nga organet mbi këtë rast.

"Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin e thellë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, ku një qytetar humbi jetën në rrethana të dyshimta. Në veçanti, Avokati i Popullit shpreh shqetësim për pretendimet e ngritura nga familjarët e viktimës dhe një pjesë e opinionit publik në Pogradec, lidhur me mundësinë e fshehjes apo manipulimit të ngjarjes nga strukturat e policisë lokale.

Avokati i Popullit, si institucion i pavarur kushtetues, jo vetëm ka për detyrë të mbrojmë të drejtat e njeriut por edhe të garantojë transparencë dhe drejtësi në çdo rast ku mund të jenë shkelur këto të drejta.

Përsa më sipër Avokati i Popullit njofton se ka nisur një verifikim të plotë mbi veprimet dhe procedurat e ndjekura nga organet kompetente në këtë çështje. Ky verifikim do të synojë të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e ngjarjes, përfshirë edhe pretendimet për moszbardhjen e drejtë të situatës", thuhet në reagim. 

Ora 12:01
Ekskluzive/ Momentet e fundit të Egli Progës, veprimet që bëri para se të ndërronte jetë nga sulmi i dhunshëm (Video)

Pogradec- Zbulohen momentet e fundit të 42-vjeçarit Egli Proga, që përfundoi viktimë e një sulmi të dhunshëm në ambientet e jashtme të një lokali në Pogradec të shtunën, më 10 Gusht.

“Report TV” dhe “Shqiptarja.com” disponojnë edhe videon ekskluzive të të ndjerit, çastet e fundit para se të dhunohej barbarisht nga i arrestuari Denis Meçi. Në videon e gjatë 1 minutë e 11 sekonda, të shkëputura nga një dyqan fruta-perimesh në Pogradec, pranë vendngjarjes, dallohet në fillim 42-vjeçari që del nga lokali i tij 'Te Nazua' mbyll lokalin

 Në dorë mban edhe një çantë të vogël

Pak momente më vonë mendohet se ka ndodhur sulmi. Për ngjarjen kanë nisur verifikimet e procedurave të ndjekura nga Policia e Pogradecit, me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, nëse ka pasur shkelje ligjore dhe hetimore paraprake. Motivet e ngjarjes së rëndë mbeten ende të panjohura dhe prokuroria e ka ende në hetim aktiv, ku po mbledh pamje, dëshmi dhe prova të tjera.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • E verteta: 12/08/2024 20:24

    Cfare inspektimi do besh o Rrumbullak topi. Ty te kane lene te pazaret e vogla se per shefa dhe drejtore nuk te pyet njeri. Policia eshte ne ditet e saj me te keqija. Ajo nuk i sherben me njerezve dhe shtetit, por atyre qe paguajne me shume. Nje nga shkaqwt e largimit masiv te njerezve eshte edhe korupsioni skandaloz deri ne krime te renda te kryera nga policia e ashtequajtur e shtetit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?