Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u kërkoi autoriteteve amerikane të ndalojnë të sulmojnë gazetarët dhe punonjësit e mediave, që mbulojnë protestat në SHBA, dhe të sigurojnë se shtypi nuk preket nga kufizimet e orës policore.
Që nga 29 maji, së paku 125 “shkelje të lirisë së shtypit” janë raportuar në SHBA nga gazetarët që mbulojnë protestat kundër vrasjes së George Floydit, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve - organizatë me seli në Nju Jork.
Floyd, afrikano-amerikan, ka vdekur gjatë arrestimit nga policia, më 25 maj, në Mineapolis të Minesotës.
“Jemi të tmerruar nga veprimet e ashpra dhe nganjëherë të dhunshme të policisë kundër gazetarëve që bëjnë punën e tyre", tha drejtori i programit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Carlos Martinez de la Serna.
Organizata përmendi shembullin e dy fotoreporterëve që u arrestuan më 29 maj derisa punonin në Las Vegas të Nevadës.
Ata u akuzuan për “dështim për t’u shpërndarë”, përpara se të liroheshin ditën e nesërme, raportuan mediat lokale.
Grupi shtoi se policia ka goditur dhjetëra gazetarë të tjerë me gaz lotsjellës ose plumba gome.
Edhe përfaqësuesi i mediave pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Harlem Desir, shprehu shqetësimin e tij për “valën e dhunës” së policisë dhe demonstruesve kundër gazetarëve që mbulojnë protestat.
“Shumë nga këto incidente përfshijnë arrestime dhe përdorim të forcës nga policia dhe akte të dhunës nga protestuesit”, tha Desir.
Ai u bëri thirrje autoriteteve që të ushtrojnë përmbajtje dhe të sigurojnë se gazetarët janë të sigurt derisa raportojnë për protestat publike.
Disa qytete dhe shtete në SHBA kanë vendosur orë policore në përpjekje për të ndaluar protestat - disa prej të cilave janë shndërruar në dhunë - por jo të gjithë urdhrat për orë policore kanë përjashtuar në mënyrë specifike anëtarët e shtypit.
Lajmi kryesor: