‘Tragjedi e përsëritur’, e ka cilësuar kështu humbjen e jetës së 29-vjeçarit Armond Peshku në minierën e Martaneshit, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shprehet se minatorët marrin paga të ulëta dhe ato pak të ardhura nuk u mjaftojnë as për të blerë ilaçe.
Sipas tij, edhe pse bëjnë një punë të vështirë, ata sot nuk gëzojnë as statusin e minatorit.
"Rilindja" ka qëllim vetëm të vjedhë dhe të ndajë pasuritë publike me shfrytëzuesit e minierave, oligarkët, dhe nuk i bëhet vonë fare për minatorët që as ilaçe nuk blejnë dot për të kuruar mushkëritë dhe sakrifikojnë aq shumë për bukën e gojës sa humbin edhe jetën.
Partia e Lirisë i ka përkrahur gjithmonë minatorët e mashtruar nga “Rilindja” që sot nuk kanë as status minatori dhe asnjë lloj përfitimi për punën e vështirë, që kanë kryer”, tha ai.
Meta tha, se PL mbështet propozimet e minatorëve.
“Ne i mbështesim të gjitha propozimet e minatorëve, veçanërisht për miratimin e statusit të minatorit, të përfitimit të 135% të pagës minimale, si dhe të garantimit të plotë të shërbimeve shëndetësore falas, përfshi ilaçet për kurimin e sëmundjeve kronike që u janë shkaktuar nga nëntoka”, tha ai.
Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e sotme në minierën në Thekën të Martaneshit, ku minatorët të cilët punonin si vagonistë në minierë u zunë poshtë nga shembja e një masivi mineral teksa po punonin. Si pasojë e plagëve të marra minatori Armond Peshku, vetëm 29 vjeç humbi jetën, ndërsa shtetasi Hajdar Bala, rreth 40 vjeç u transportua në spital për ndihmë mjekësore.
Lajmi kryesor:
Aksident në minierën e kromit në Martanesh, masivi mineral zë poshtë dy minatorë! Vdes 29-vjeçari, tjetri niset me urgjencë në Tiranë (EMRAT)
S.B/ReportTv.al