Vdekja e të riut, Policia dhe APM: S’ka shenja dhune! Iu gjet në stomak një qese 5x5 cm me drogë! Efektivi s’ka bërë veprime të kundërligjshme

20 Tetor 2022, 15:39| Përditesimi: 20 Tetor 2022, 16:38

  • Share

 

Prokuroria dhe AMP kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për media, ku bëjnë me dije se në trupin e të riu Lear Kurti, nuk janë evidentuar shenja dhune. Në reagimin e tyre, ato bëjnë me dije se itinerari i të riut pasqyrohet në pamjet filmike të 5 kamerave duke theksuar se nuk ka pasur sjellje të kundërligjshme nga ana e efektivëve.

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprimet hetimore proceduriale në lidhje me ngjarjen ku shtetasi L.K., 32 vjeç ndërroi jetë pasi u shoqërua nga punonjës policie të Komisariatit Nr.3 Tiranë gjatë një kontrolli rutinë, nga të cilat rezulton se: Në datë 19.10.2022, ora 23:07, punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.

Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasi është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta.

Në vijim, pasi është qetësuar, shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës. Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar i gjithë itenerari dhe veprimet e punonjësve të Policisë nga momenti kur shtetasit i kërkohet të identifikohet deri në shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të policisë Nr 3.

Ky itenerar pasqyrohet në pamjet filmike të admnistruara nga 5 kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shtetas shokë të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë. Nga veprimet hetimore në vazhdim janë dhe këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nga e cila nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.

Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5x5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Gjithashtu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit L.K., 32 vjeç. Për sa më sipër, AMP nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon hetimet për të sqaruar dhe zbardhur shkakun e vdekjes dhe rrethana të tjera të ngjarjes”, thuhet në njoftim.


Lajmi kryesor:

Vdes në duart e policisë 32-vjeçari i ndaluar në Tiranë! Ekspertiza paraprake: Gëlltiti qesen me kokainë, ndërroi jetë nga overdoza! AMP: Itinerari pasqyrohet në pamjet e 5 kamerave


B.K.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?