Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur sekretarit të Këshillit Bashkiak, pasi letrës që i shkoi në qeli që të dërgojë me shkrim pretendimet e tij, në rast se nuk paraqitet dot në mbledhjen e Këshillit për shkarkimin e tij. Veliaj thotë në letër se ende nuk është njoftuar për rendin e ditës së mbledhjes, por për faktin që do diskutohet për shkarkimin e tij është njohur vetëm në media. Veliaj thotë se nuk ka pasur kohë për të përgatitur mbrojtjen, as fizikisht, as me shkrim.
“Në përgjigje të shkresës nr. 32059/2 prot, datë 22.09.2025, me firmën e sekretarit të Këshillit Bashkiak, evidentojmë se nuk përmban vendimmarrjen me votim të Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procedurën e shkarkimit të iniciuar ndaj tij, si organi që ka kompetencën për të vendosur mbi praninë, dëgjimin dhe mbrojtjen e Kryetarit të Bashkisë.
Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial. Çdo komunikim i Sekretarit të Këshillit që shkon përtej funksioneve tekniko-administrative përbën tejkalim të kompetencës dhe cenim të parimit të ndarjes së funksioneve. Sekretari është një funksionar administrativ, jo organ politik dhe as vendimmarrës në këtë procedurë. Kompetencat e tij kufizohen në sigurimin e infrastrukturës organizative të mbledhjeve; shpërndarjen e materialeve dhe njoftimeve; protokollimin dhe mbajtjen e procesverbaleve. Ai nuk ka asnjë tagër ligjor të japë udhëzime mbi mënyrën e realizimit të së drejtës për t'u dëgjuar apo për të interpretuar kërkesat e Kryetarit. Në një procedurë që mund të përfundojë me shkarkimin e Kryetarit, e drejta për t'u dëgjuar dhe mbrojtur e Kryetarit të Bashkisë. si një organ kushtetues është thelbësore. Kjo e drejtë nuk mund të reduktohet në një njoftim formal të sekretarit të Këshillit Bashkiak lidhur me mundësinë potenciale për të sjellë një mbrojtje me shkrim.
Pavarësisht sa më sipër, nga përmbajtja e shkresës së dërguar nga ana e sekretarit të Këshillit Bashkiak, unë kryetari bashkisë vetëm informohem se Këshilli Bashkiak, ditën e nesërme, në orën 16%, ka një mbledhje, pa u informuar zyrtarisht se për çfarë do të zhvillohet kjo mbledhje dhe cili është rendi i ditës së saj, si dhe nuk kam asnjë informacion zyrtar (përveç lajmit mediatik) lidhur me garantimin e së drejtës për t'u dëgjuar në këtë mbledhje, e cila edhe pa një kërkesë nga ana ime do të duhet të më ishte mundësuar kryesisht nga ana juaj.
Ende sot, një ditë përpara vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, nuk jam informuar zyrtarisht nga ky këshill lidhur me mbajtjen e një mbledhjeje në të cilën do të vendoset lidhur me shkarkimin tim si Kryetar Bashkie, shkaqet e shkarkimit, materialet që më ngarkojnë me përgjegjësi, sqarimet përkatëse nga ana juaj. kërkimin e sqarimeve dhe provave nga ana ime lidhur me shkeljen e pretenduar dhe materialet mbi të cilat ajo mbështetet, dhe si rrjedhojë nuk më është krijuar mundësia për t'u mbrojtur, dhënë shpjegime e dëgjuar para këtij organi kolegjial, as fizikisht e as me shkrim, për më tepër kur, duke qenë se ndodhem në kushtet e paraburgimit, bazuar në një masë sigurimi personale, mundësitë i kam të kufizuara.
Për sa më sipër, mbetem në pritje të vendimarrjes me votim nga ana e Këshillit Bashkiak, për garantimin e të drejtave kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë në procesin e iniciuar për shkarkimin e tij”, shkruan Veliaj në letër.
Më poshtë mund të lexoni edhe reagimin e mbrojtjes së Veliajt për mbledhjen e Këshillit Bashkiak
“Në datën 22 shtator 2025, Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka bërë publik një njoftim (nuk ka një njoftim zyrtarë) mbi thirrjen e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak, të planifikuar për datën 23 shtator, ora 16:00.
Ky njoftim nuk përmban asnjë vendimmarrje të vetë Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtës kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë për t’u dëgjuar, mbrojtur dhe shprehur qëndrimin e tij, siç parashikohet në çdo proces serioz e të drejtë që mund të çojë në një vendim për ndërprerje mandati kushtetues.
Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë tagër ligjor për të marrë vendime në emër të Këshillit, dhe aq më pak për të interpretuar mënyrën se si Kryetari i Bashkisë duhet të ushtrojë të drejtën e tij për mbrojtje. Funksioni i Sekretarit është thjesht administrativ, jo politik dhe jo vendimmarrës.
Edhe një ditë para mbledhjes:
• Kryetari i Bashkisë nuk është informuar zyrtarisht për qëllimin e mbledhjes;
• Nuk është dërguar rendi i ditës;
• Nuk janë bërë të ditura shkaqet apo materialet mbi të cilat pretendohet shkarkimi;
• Nuk është garantuar e drejta për t’u dëgjuar e mbrojtur.
Kujtojmë se Kryetari i Bashkisë ndodhet në kushtet e paraburgimit, përmes një mase sigurimi joproporcionale, gjë që kufizon ndjeshëm aftësinë e tij për të qenë prezent me vullneti apo për të ndjekur në mënyrë efektive një proces që mund të prekë statusin e tij si i zgjedhur me votë nga qytetarët e Tiranës.
Kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj, mbetet në pritje të një vendimmarrjeje të qartë dhe të dokumentuar nga Këshilli Bashkiak, që garanton në mënyrë të plotë të drejtën e tij për të ushtruar mbrojtjen dhe për të qenë i dëgjuar, siç i takon çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, aq më tepër një të zgjedhuri në mënyrë demokratike”, thotë mbrojtja e Veliajt.
Përgjigja e Veliajt për sekretarin e Këshillit Bashkiak Tiranë
Lajmi kryesor:
Nesër mbledhja për shkarkimin/ Sekretari i Këshillit letër Veliajt: Nis pretendimet me shkrim! Kryebashkiaku: S’e vendos ti, prania ime të hidhet në votim
SI.E./ReportTv.al