Veliaj me banorët e Njësive 7 dhe 11: Do fitojmë edhe më thellë në Laprakë e kudo në Tiranë! Kemi projekte për mandatin e tretë

9 Maj 2023, 15:20| Përditesimi: 9 Maj 2023, 16:40

  • Share

 

Kandidati i PS-së dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vijuar takimet elektorale për zgjedhjet e 14 majit me banorët e Njësive 7 dhe 11 në kryeqytet. Veliaj tha se me investimet e mëdha, e sidomos shkollat e ndërtuara në këto dy njësi, qytetarët kanë mjaftueshëm arsye të besojnë se në 14 Maj duhet të ecim vetëm përpara. Ai deklaroi se në Laprakë, bastionin e demokratëve ku Berisha deri dje “varte” xhaketën, PS do marrë një fitore edhe më të thellë se në zgjedhjet e fundit, ku fitoi bindshëm.

“Në Njësinë 11, një njësi që konsiderohej bastion i së djathtës, Sali Berisha thoshte: ‘Kam varur xhaketën e sa të jetë xhaketa ime, Lapraka do votojë gjithmonë djathtas’. Sot Lapraka është me Partinë Socialiste, ‘Treshi’ është me Partinë Socialiste, Kodër Kamza është me Partinë Socialiste dhe Bregu i Lumit është me forcën më progresiste. Pse? Sepse hoqëm një xhaketë dhe vumë një tjetër? Jo! Ne nuk jemi nga ata që i varim shpresat te xhaketa. Ne jemi nga ata që i varim shpresat te puna. Kjo është arsyeja pse filluam duke rehabilituar Bregun e Lumit, që asnjë familje të mos përmbytet. Kjo është arsyeja pse filluam nga çerdhet, nga kopshtet, nga shkollat, punët tona të para, si në çdo familje, që të fillojmë nga më të vegjlit për të rregulluar situatën,” u shpreh Veliaj.

Vetëm në Laprakë, tha ai, janë ndërtuar 5 shkolla të reja.

“Vetëm në Njësinë 11 kemi ndërtuar shkollën “Vaçe Zela”, “Kristo Frashëri”, “Andrea Stefani”, “Nënë Tereza” dhe “Kenedi”, se ne besojmë se vetëm arsimi, puna, mëngët e përveshura, bashkimi, na çojnë papara. Sot Njësia 11 ecën vetëm përpara. Sot Njësia 11 është e vetmja që ka kinema qyteti, kinemaja “Maks Velo”. Sot është një nga ato njësi që ka bibliotekën “Valter Gjoni”. Sot do të jetë njësia që, me parkun e ri, me terminalet e trenit dhe të autobusit, do të jetë zyrtarisht porta hyrëse e Tiranës, ku iu themi të gjithëve mirë se erdhe në Tiranë, ky është edhe qyteti yt dhe kjo është familja jonë e madhe”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se edhe në Njësinë 7 janë ndërtuar dhe po projektohen mjaft investime të tjera.

“Në Njësinë 7 po përgatitemi për disa investime të mëdha. Bashkia e Tiranës mori në dorëzim kompleksin “Dajti”, për t’ua kthyer në fusha sportive dhe çunave dhe gocave që merren me sport. Siç bëmë me pishinat, siç bëmë me “7 Xhuxhat”, se Bashkia ka treguar që di të menaxhojë, këtë javë hapim Piramidën e Tiranës, ndërtesa më e bukur e qytetit në dispozicion të më vegjëlve, që të mësojnë të kodojnë, të mësojnë punët e të ardhmes, të marrin aftësi digjitale. Ndaj, sot jam krenar për çfarë kemi bërë në Njësinë 7, për çfarë kemi bërë në Njësinë 11 dhe çfarë duhet të bëjmë akoma për ta çuar Tiranën përpara në mandatin e tretë,” deklaroi Veliaj.


Lajmi kryesor:

‘Vendoret’/ Beci premton ndërhyrje urgjente në infrastrukturë! Spahia: PS nuk është alternativë, s'ka punuar për qytetin


B.V//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?