Nga Bërzhita, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha sot se Partia Socialiste nuk është partia e njerëzve që i kanë pasur gjërat e lehta në jetë, por e atyre që janë përpjekur për t’ia dalë vetë, pa ndihmën e askujt. Në fjalën e mbajtur përpara socialistëve të Asamblesë PS, ai iu referua edhe deklaratave që bëjnë disa analistë në media. Veliaj, gjatë një takimi me struktura të Partisë Socialiste në Kërrabë dhe Bërzhitë, ka ironizuar analistët Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, për të cilët tha se njëri është rritur në Bllok dhe se tjetrit ka vilë 500 mijë duke punuar si gazetar.
“Pashë një nga ata analistët që mundohej pa sukses të debatonte me Edi Ramën, - se jo vetëm që nuk ia marrin dot për punë, por nuk ia marrin dot as për debat Edi Ramës, - që tallej tek portali i vet, Lapsi, Kalemi, Stilolapsi: “e mo këta, - tha, - u bënë këta kalamajtë e pastrueseve!” Në fakt, më erdhi keq për ta, se ata të dy, njëri jeton tek Rolling Hills - se si mund të bësh vilë 500 mijë euro, duke punuar gazetar dhe duke bërë bërr-bërr tërë ditën, - tjetri është rritur në Bllok.Lajmi im për ta është: Po, çunat e pastrueseve, gocat e rrobaqepëseve, fëmijët e hidraulikëve, kalamajtë e elektriçistëve, ata që janë rritur me halle, ata do ta drejtojnë këtë vend, jo ata që janë rritur në Bllok, jo ata që përçajnë dynjanë, jo ata që menaxhojnë llogjet, thashethemet, shpifje, helm për këdo që prek punë me dorë. Kush është rritur i ndershëm, me dinjitet, me djersën e ballit të vet, - ata do ta trashëgojnë Shqipërinë, jo kalamajtë e llastuar, jo ata që vënë gjoba çdo natë nëpër televizione,” u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se në Partinë Socialiste i hapen dyert çdokujt që me meritë dhe me punë ka arritur aty ku është sot.
“Kush është rritur me halle bëhet edhe më i mirë, bëhet edhe më i dhimbsur, merr vendime edhe më të pjekura, sepse i ka kaluar vetë hallet. Kush është rritur në televizor, duke vënë gjoba, kush është rritur në Bllok, kujt ia ka hapur derën mami dhe babi, kujt ia ka shtruar tapetin njohja që ka pasur me X parti apo Y kompani, nuk kanë shans, se nuk e kanë provuar jetën prej vërteti. Ndaj, respekt për të gjithë ata që punojnë,” deklaroi Veliaj.
Lajmi kryesor: