Veliaj takon Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach: Tani është koha të rrisim bashkëpunimin për sportin dhe Tiranën

12 Qershor 2022, 17:17| Përditesimi: 12 Qershor 2022, 17:55

  • Share

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i cili vizitoi për herë të parë vendin tonë në cilësinë e drejtuesit të IOC, së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, atletin rekordmen ukrainas, Sergei Bubka. Veliaj, i cili i ka dhuroi “Kullën e Sahatit të Tiranës” zyrtarit të lartë të Komitetit Olimpik, u shpreh besimplotë se kjo vizitë do të shërbejë si një tjetër pikëtakim i projekteve të përbashkëta në drejtim të sportit.

“Jam shumë i lumtur sot që, Presidenti i Komitetit Olimpik Botëror, miku im, Tomasi, dhe Sergei Bubka i famshëm, po ashtu edhe skuadra fantastike që vjen nga Komiteti Olimpik, ndodhen në Tiranë për të mbështetur Fidelin, si dhe çunat e gocat tanë të Komitetit Olimpik. Jam shumë krenar për punën që ata kanë bërë sepse ka qenë një moment tranzicioni dhe tranzicionet nuk janë asnjëherë të lehta. Fakti që morëm një Komitet Olimpik Shqiptar të rrënuar, si financiarisht, si moralisht, si nga ana e strukturës, dhe sot e kemi ngritur në këmbë, që pas Lojërave Olimpike të Tokios, dhe me gjithë arritjet që ka Komiteti Olimpik, sportistët tanë, kjo është një ditë e mirë. Fakti që edhe Presidenti i Komitetit Olimpik ndërkombëtar është sot këtu është një mesazh shumë i mirë. Tani është koha për të shtuar bashkëpunimin dhe për të bërë punë të jashtëzakonshme për Tiranën,” u shpreh Veliaj.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i cili i dhuroi kryebashkiakut të Tiranës një prej 300 medaljeve përkujtuese të Lojërave Olimpike të Tokios, tha:

“Faleminderit shumë për pritjen e këndshme. Dua t’ju përcjell falënderimet dhe urimet tona për atë që, ju personalisht dhe Bashkia e Tiranës, jeni duke bërë për sportin në Shqipëri. Është vërtetë e mrekullueshme të shohësh sesi ju e kuptoni rëndësinë e kontributit të sportit në shoqëri dhe veçanërisht në edukimin e fëmijëve, sepse kjo është e ardhmja jonë dhe kjo është vlera e sportit. Mendoj se mund të shohim përpara drejt një të ardhmeje të ndritur për sportin në Tiranë dhe në Shqipëri,” u shpreh Bach. 

Duke iu drejtuar kampionit olimpik, Sergei Bubka, Veliaj tha se Shqipëria do jetë gjithmonë me ukrainasit për t’i mbështetur, por sidomos kontigjentin sportiv që ndodhet në vendin tonë.

“Zoti kryebashkiak, ju falenderoj shumë për atë që ju dhe kombi shqiptar jeni duke bërë për popullin ukrainas dhe veçanërisht për sportin ukrainas. Ju mikprisni atletët tanë, iu mundësoni atyre një shtëpi të përkohshme, sepse ne besojmë se së shpejti do të rikthehemi, dhe sigurisht jemi shumë të lumtur të shohim se si ju i kushtoni vëmendje vlerave të sportit dhe lëvizjes olimpike,” u shpreh Bubka nga ana e tij.


Lajmi kryesor:

Inagurimi i ambienteve të reja sportive, Rama: Do mbështesim fuqizimin dhe shtrirjen në mënyrë të vazhdueshme të rrjeteve sportive


G.MO//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?