Venat varikoze (variçet) pse shfaqen? Altin Joka: Ja shkaktarët dhe hapat natyral që ju shpëtojnë nga bisturia

18 Shtator, 15:49| Përditesimi: 18 Shtator, 15:56

  • Share

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia, Altin Joka, i cili foli për venat varikoze, ose ndryshe variçet, përse shfaqen dhe si shkaktohen? Çfarë kujdesi duhet të tregojmë për personat që janë të predispozuar që të kenë variçe.

”Variçet janë vena që e tregojnë qartë që janë të fryra dhe zakonisht kanë një ngjyrë të errët, në vjollcë apo të lapsit kopjativ, apo blu e mbyllur” tha Altini duke bërë një shpjegim paraprak se në këto vena ka një detoksigjen dhe zakonisht shfaqen në këmbë, mund të jenë me gunga apo të përdredhura, apo si rrjetë merimange.

”Në përgjithësi këto vena, qëndrojnë afër sipërfaqes së lëkurës dhe sa më shumë të duken, aq më shpejt do të bëhen venat varikoze dhe tek njerëz të ndryshëm, ka forma të ndryshme” shtoi Altini.

Sipas tij, brenda venave tona ka disa valvula që rregullojnë të gjithë strukturën e qarkullimit të gjakut dhe pa këto valvula, këmbët tona do fryheshin për një kohë të shkurtër. ”Së pari duhet të kuptojmë dallimin midis arterieve, venave dhe kapilarëve” u shpreh ai, duke shpjeguar se zemrën mund t’a imagjinojmë si një pompë që shpërndan ujin me presion në arterie, të cilat janë të trasha, të ndërtuara që të jenë të forta që të punojnë në presione shumë të larta, ndërsa venat janë pjesa kulluese dhe janë me mure shumë të hollë në krahasim me arteriet.

”Venat varikoze formohen tek këmbët, pasi sa më larg zemrës, aq më i lartë është presioni” theksoi Altini, teksa shtoi se venat varikoze krijohen nga dëmtimi i indeve lidhëse nëpërmjet kockave dhe trupit tonë, si dhe mosfunksionimi i gjakut dhe indeve. Element tjetër është menopauza, disbalancimi hormonal, mungesa e kolagjenit, mungesa e mineraleve dhe vitaminave, qëndrimi për kohë të gjatë në këmbë pa lëvizur, mbipesha dhe obeziteti, hipertensioni, diabeti, problemi i mos konsumimit të ujit, sikurse dhe aspekti gjenetik.

Kush janë më të rriskuar sipas Altinit?

”Nuk duhet të paragjykojmë as moshën, as gjininë, as faktorët gjenetik kur shfaqen venat varikoze” nënvizoi ai. “70% e grave që kalojnë moshën 50 vjeçare kanë problem me venat varikoze, sikurse 40% e meshkujve që kalojnë moshën 60 vjeç, por gratë janë më të prekurat”.

Por çfarë ndodh nëse venat varikoze nuk trajtohen? Së pari do sjellin një rënie të sistemit imunitar, inflamacion në zonat ku shfaqen, mund të arrijnë deri në trompozë.

 “Ndërhyrja kirurgjikale nuk është zgjidhja kryesore, pasi nuk është thelbi i problemit, duhen gjetur arsyet dhe shkaqet së pari” tha Altini, duke shtuar se duhen kontrolluar problemet me hipertensionin, balancimin hormonal, diabetin, konsumimin e ujit, problemet me magnezin, kaliumit dhe fibrave.

Cilat janë disa mënyra trajtimi/parandalimi? Lëvizja dhe aktiviteti fizik duhet të jetë i shpeshtë, ulja e peshës trupore, ushtrimi i gishtave të këmbës që duhen stërvitur 10 minuta në ditë me lëvizje, përdorimi i vajrave esencial nga jashtë, si vaji i selvisë, vaji i qitros, më pas ushqimi që duhet të jetë anti inflamator i pasur me antioksidantë, shumë perime dhe arrore, konsumimi i boronicës dhe frytave të pyllit, ushqimi me nivele të larta të kolagjenit, sikurse përdorimi i vitaminës C.

“Gështenja e egër e futur në raki është shumë efikase për të lyer këmbët. Vaji i specit djegës nëse lyen këmbët është gjithashtu shumë efektiv, sikurse dhe çaji i murrizit. Element tjetër është dhe bima rrushkullit, që mund të merret çdo ditë në formën e çajit. Më pas kemi dhe përdorimin e vajtit të farave të rrushit, përdorimi dhe konsumi i lëngut të shegës, i boronicave, ananasit apo lyerja me vajin e tij është shumë efikas gjithashtu. Një tjetër kurë praktike është dhe një lloj kremi që mund t’a bëjë çdo njeri në shtëpi: Marrim 3-4 lugë vaj jojova, një lugë çaji dyll blete që e vendosim në banjomari për t’u tretur. Më pas sipër i hedhim një lugë çaji lule basani, pak pluhur vitaminë C, pak spec pikant, më pas hidhen 5-6 pika vaj grejpfruti, 2 pika vaj qitro, 2 pika vaj selvie dhe në fund një kapsulë të vitaminës E. Pasi trazohet futet në frigorifer dhe bëhet krem dhe është kremi më efikas për venat varikoze” këshillon Joka.

Në fund të bisedës nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike theksoi se sot ka shumë alternativa trajtimi për variçet për përdorim nga jashtë dhe brenda trupit, por kjo problematikë fillimisht duhet trajtuar së brendshmi. Për këta individë të prekur - tha ai, nevojitet një regjim ushqimor i personalizuar për të nxitur qarkullimin e gjakut dhe për të pastruar venat.

 

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?