Emigrantë në Portin e Shëngjinit, foto arkiv

Bota

Vendimi i Gjykatës së BE/ Meloni nuk ‘dorëzohet’, përshpejton riatdhesimet e emigrantëve! Përplasje e re me gjyqësorin për qendrat në Shqipëri

3 Gusht, 07:57| Përditesimi: 3 Gusht, 09:01

  • Share

Përplasja për kthimet e emigrantëve është, ka qenë dhe ka gjasa të bëhet gjithnjë e më e ashpër. Në sfondin e këtij tensioni qëndron vendimi i fundit i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian mbi konceptin e “vendeve të sigurta”. Gjykata kërkon që çdo gjyqtar të vlerësojë në mënyrë individuale nëse një vend është vërtet i sigurt për një emigrant të caktuar dhe thekson se nëse një vend nuk është i sigurt për një person, atëherë nuk mund të konsiderohet i sigurt për askënd. Në këtë klimë, qeveria italiane po e vë përsëri në lëvizje procesin e riatdhesimit.

Italia ka riaktivizuar procedurat për kthime të përshpejtuara drejt vendeve të origjinës dhe po shqyrton mundësinë për të përdorur për këtë qëllim qendrat në Shqipëri, të cilat aktualisht shërbejnë si qendra të qëndrimit të përkohshëm për refugjatë (Cpr). Burime sqarojnë se fakti që në vendimin e Gjykatës nuk përmenden këto qendra në territorin shqiptar, interpretohet si një shenjë që Gjykata i konsideron ato të ligjshme. Italia, ndërkohë, po ushtron presion ndaj Bashkimit Evropian që të përshpejtojë miratimin e Paktit për Sigurinë dhe Migracionin. Sipas Romës zyrtare, rregullorja e re që përfshin një listë të unifikuar të vendeve të sigurta, do të ketë natyrë supranacionale dhe nuk do t’u lërë më gjyqtarëve hapësirë për interpretime të ndryshme apo për moszbatim të saj.

Por pikërisht këtu ka nisur përplasja e radhës. Shoqata Kombëtare e Magjistratëve në Itali (ANM) nuk bie dakord me këtë logjikë. Sekretari i saj, Rocco Maruotti, i tha “Corriere della Sera”-s se “vendimi i Gjykatës do të mbetet i vlefshëm edhe pas miratimit të rregullores së re”. Ai shtoi se parimi që fjala e fundit për respektimin e të drejtave t’i takojë gjyqësorit, “nuk mund të fshihet”. Edhe Unioni i Dhomave Penale e mirëpriti vendimin dhe theksoi se një emigrant ka gjithmonë të drejtën të kundërshtojë përfshirjen e një vendi në listën e vendeve të sigurta, ndërsa gjyqtari ka të drejtën dhe detyrën të vlerësojë bazueshmërinë e kësaj zgjedhjeje. “Ligjvënësit nuk mund t’i shpëtojnë kufizimeve dhe kontrollit, kur janë në lojë të drejtat themelore”, thuhet në deklaratë. Gjithashtu u theksua se pas vendimit të Gjykatës Evropiane, sistemi gjyqësor ka të gjitha mjetet për të ndërhyrë edhe në rastet e të paraburgosurve që ndodhen në kushte “mbipopullimi, çnjerëzore dhe degraduese”.

Përplasja midis politikës dhe drejtësisë është paralajmëruar edhe nga partia e Matteo Salvinit. “Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së konfirmon sulmin e togave të kuqe ndaj kufijve tanë, si në Itali, ashtu edhe jashtë saj”, thuhet në një deklaratë të partisë Lega. “Nuk do të dorëzohemi kurrë, jemi gati për betejë. Në vjeshtë, Patriotët do të paraqesin një mocion mosbesimi ndaj Ursula von der Leyen, e paaftë të mbrojë kontinentin dhe sidomos Italinë”. Dhe nuk ndalen vetëm te emigracioni: “Edhe për Green Deal-in e çmendur, që nuk ndihmon mjedisin, por dëmton familjet dhe bizneset”, premtojnë ata.

Nga Brukseli ndërkohë është konfirmuar se vërejtjet e Gjykatës mbi përcaktimin e vendeve të sigurta janë përfshirë në Paktin e ri për Migracionin dhe Azilin, i cili përfshin edhe një rregullore të re për kthimet. Këto norma parashikohet të hyjnë në fuqi në qershor 2026, por Komisioni Evropian ka kërkuar tashmë që zbatimi i tyre të përshpejtohet. Zëdhënësi i Komisionit sqaroi se, sipas Gjykatës, përcaktimi i një vendi si i sigurt mund të bëhet përmes një akti legjislativ, por vetëm “me kusht që ky akt të mund të jetë subjekt i një kontrolli efektiv gjyqësor”. Megjithatë, Gjykata e ka rikonfirmuar qëllimin për të trajtuar në mënyrë të shpejtë dhe efikase kërkesat për azil që konsiderohen të pabazuara.

“Shpresoj që të triumfojë demokracia mbi diktaturën e togave”, sulmon Maurizio Gasparri (Forza Italia). Ndërsa Davide Faraone (Italia Viva) kundërpërgjigjet: “Vetëm ata që kanë një koncept të sëmurë për demokracinë mund të çuditen nga një vendim kaq i vetëkuptueshëm i Gjykatës”./Corriere Della Sera

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë mendoni për ndryshimet e propozuara me draftin për Kodin e ri Penal?