Gazetari Ardit Rada thotë se rinumërimi i votave në qarkun Tiranë dhe Fier mund të kthehet në një boomerang për PD pasi mund të nxjerrë në pah se ka pasur vjedhje votash brenda partisë, duke marrë parasysh se disa kandidatë të saj kanë bërë ankimime në KAS për rinumërim votash preferenciale.
Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun, Rada tha se në thelb, rinumërimi i votave është një proces ligjor, por shtoi se në këtë rast po përdoret nga PD për të justifikuar humbjen.
“Transparenca në thelb nuk është e dëmshme. Nga ana teknike rinumërimi është proces, ligjor. Por nga ana politike për PD, duket se është kthyer në një tjetër akt për të justifikuar këtë dështimin që ne jemi dëshmitar. Është një diferencë e madhe mandatesh dhe votash me fituesin e zgjedhjeve saqë si numërimi i Tiranës apo Fierit nuk do t’i jepte fitoren në vija të përgjithshme. Nëse do të kishim të bënim me zhvendosje të votës, vjedhje apo krim elektoral në masë të madhe, do të ishte shqetësuese por në të vërtetë shohim një PD dhe Berishë që publikon video të pakuptimta dhe quan farsa zgjedhore, nga ana tjetër kemi ish-kandidatët e PD që janë ankuar në KAS me prova për vjedhje brenda listës së tyre nga vetë demokratët. Rasti i Asllan Dogjanit që nxori videon ku Myslim Murrizi figuronte me 15 vota plus të padrejta. Kemi Alimehmetin që kërkon rinumërim se mendon se ia kalon Tabakut, kemi Lisandër Hoxhën, Ilirjana Kuçanën, Aulon Kalanë që kanë të njëjtat probleme. Në fund rinumërimi mund të nxjerrë demokratët si hajdutë të votës së tyre dhe mund ti’ kthehet PD si boomerang. Megjithatë është e sigurt që nuk do t’i kthejë dot PD atë që i mungon sot, një strategji bindëse, një lidership legjitim dhe marrëdhënie të sinqertë me elektoratin.”, u shpreh Rada.
Duke u ndalur te pretendimet e PD për 130 mijë fletët e votimit të papërdorura, pretendim që u rrëzua nga KAS javën e kaluar me hapjen e krejt kutive ku gabimisht komisionerët kishin shënuar “zero” ose “vizë”, ai tha se u rrëzuan edhe pretendimet dhe akuzat për tren bullgar dhe për manipulim masiv.
“Këto pretendime janë kthyer në zakon të PD. Çdo herë që si del rezultati që do të dëshironte, shpik një fabul të re, këtë rast ka rikthyer trenin bullgar, por është thjesht justifikim, për të shmangur pasojat e humbjes para ndjekësve. Hapja e kutive nxori se nuk kishte tren bullgar as manipulim masiv”, tha Rada.
Sipas Radës, denoncimet për të cilat flet PD mund të jenë edhe fabrikime të vetë partisë, pasi siç shtoi ai, “është një parti që ka treguar se është dashnore e filmave të Hollivudit si me rastin e Babales dhe shumë publikime të tjera që ka nxjerrë dhe më pas është përballur nëpër prokurori”.
Rada thotë se me standartet që ndjek Berisha, nga njëra anë duke deklaruar se nuk njeh zgjedhjet dhe nga ana tjetër duke mos “lëshuar” mandatet që ka fituar, tregon se sjellja që ka është vetëm për përfitim personal dhe për të mbajtur gjallë militantizmin përmes retorikës radikale që ai thekson.
Zgjidhjen për ringritjen e opozitës nuk e sheh vetëm tek dorëheqja e Berishës. Gazetari tha se nëse do të bëhet një garë në parti për kryetar të ri, në listë do të jenë emrat besnikë të Berishës. Por sipas gazetarit, opozita duhet të krijojë një konfederatë, që të drejtohet nga një person që e zgjedhin me konsensus të gjitha partitë.
“Për mendimin tim, problemi kryesor i opozitës nuk mbetet vetëm kryetari aktual, se ka se shumë kanë hedhur tezën që Berisha duhet të largohet qoftë edhe si akt simbolik dhe moral dhe në zbatim të nenit që shpiku vetë që kryetari i partisë jep dorëheqjen pa të drejtë kandididimi nëse humb zgjedhjet. Unë mendoj se vetë largimi i tij nuk do ta zgjidhte dot situatën ku është futur opozita pasi nëse largohet Berisha, brenda do hapet një garë për kryetar, ku do të marrin pjesë ata që kanë qenë në krye të listave të mbyllua që janë njerëz të besuar të Berishës dhe që mund t’i drejtojë thjesht nga shtëpia.
E vetmja zgjidhje për opozitën modestisht për ta ringritur vetëm në rastin e ndërtimit të në konfederatave opozitare, që partitë me peshë reale në politikë qoftë edhe ata të reja që nxorën mandate dhe që treguan se i kanë marrë Berishës mbi 120 mijë vota, të ftohen në një koalicion të gjerë me kushtin që në krye nuk është as Berisha, Noka por një bashkë drejtim i kësaj konfederate me konsensus dhe pëlqimin e gjithë palëve”, theksoi Rada.
Komente
