Lironte të dënuarit me burgim të përjetshëm, shkarkohet gjyqtarja Enkelejda Hoxha

17 Mars 2021, 10:22| Përditesimi: 17 Mars 2021, 14:38

  • Share

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Enkelejda Hoxha, e cila akuzohet se ka shkelur detyrën në lirimin e disa të dënuarve. Vendimi është marrë para pak minutave dhe është komunikuar nga kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami. Gjyqtarja humb kështu me efekt të menjëhershëm statusin e gjyqtarit. 

Kujtojmë se dje në seancën e paraqitjes së përfundimeve mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani argumentoi shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha, është edhe e arrestuar për korrupsion nga SPAK. Pak ditë më parë ajo  kërkoi që të dalë nga burgu, me argumentin se s’ka kush të kujdeset për fëmijët e saj. Gjyqtarja Hoxha u la në burg nga Gjykata e Apelit. Ajo u arrestua nga SPAK, pas një superoperacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, në seancë gjyqësore teksa po lironte një tjetër të dënuar. Mes të dënuarve janë edhe sekretarja e Gjykatës, Emanuela Mallkuçi ekspert shëndetësor dhe avokati Aldo Tabaku të cilët në bazë të një skeme të mirëfilltë kriminale bënin lirimin e të dënuarve. Emri i gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit ai edhe Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë. Për të njëjtën çështje, ILD ka kërkuar edhe shkarkimin e prokurorit Bujar Memia, seanca për të cilin u zhvillua dje në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe vendimi u shty për më 31 mars.

Dje Shqiptarja.com zbardhi rrëfimin e gjyqtares së Krujës për Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke dhënë versionin e saj për lirimin nga burgu të Indrit Dokles dhe Hekuran Billës, që të dy të dënuar me burgim të përjetshëm. Gjyqtarja pranon se ka kryer shkelje, kur ka liruar nga burgu në shkurt të 2019 Hekuran Billën, i cili u vra në qershor 2020. Duke pranuar pjesërisht gabimin, Enkelejda Hoxha ka kërkuar një marrëveshje me kreun e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, duke pranuar që të ndëshkohet me një masë disiplinore të lehtë, por jo me shkarkim nga detyra.

Enkelejda Hoxha bëhet kështu e dyta gjyqtare për të cilën Këshilli i Lartë Gjyqësor merr vendimin për të pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për  shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së, pas shkarkimit të gjyqtarëve Markelian Kuqo dhe Shkëlqim Miri

Çfarë konkludoi ILD, Artur Metani për Enkelejda Hoxhën: 

-              Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjmë me mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal

-              Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha, nuk janë marrë prova vendimtare për zgjidhjen e çështjes duke cënuar parimin e paanësisë së gjykimit

-              Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha i është atribuar dhënia e cilësive të ndryshme, herë si i paraburgosur dhe herë si i dënuar, gjatë periudhave të njëjta në funksion të pranimit të çdo kërkese të paraqitur nga ana e të njëjtit kërkues;

-              Nga ana e magistrates është aplikuar ulja e njëkohshme e dënimit për periudha më të gjata se periudha 12 mujore e vlerësimit të parashikuar në Ligjin nr. 8328/2008 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar.

-              Nga ana e magistrates nuk janë respektuar kriteret ndaluese për përfitim amnistie

-              Në 5 procese gjyqësore është konstatuar një mungesë thelbësore në arsyetimin e vendimeve gjyqësore

-              arrihet në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë aq serioze sa kanë cenuar vlerat themelore të saj; besimin që magjistrati duhet të përcjellë te publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë; kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • vjosa: 18/03/2021 19:50

    KJO PLEHRE TE DENOHET ME BURGIM TE PERJETSHEMM,,TE BEJE BURGUN E ATYRE QE KJO I LIROI...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?