Kronikë

Vengu inspekton zjarret në Berat, flet nga baza e Kuçovës: 36 vatra, 12 janë shuar, temperaturat ekstreme! Të gjitha forcat në gatishmëri, nga ajri e toka

26 Korrik, 21:58| Përditesimi: 26 Korrik, 22:59

  • Share

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka qenë sot në Qarkun e Beratit, duke ndjekur nga afër operacionin për shuarjen zjarrit në zonën e Shpiragut dhe monitorimin nga baza e Kuçovës, prej nga ngrihen edhe avionët e ardhur nga misionet e vendeve partnere.

Ai informoi për situatën e vatrave të zjarrit, aksionin nga toka dhe ajri, rreziqet dhe masat e marra deri tani. Vengu shpjegoi se sot ka qenë një nga ditët më të nxehta që nuk e favorizuan situatën e zjarreve, me temperatura 44-45 gradë, teksa ndërhyrjet vijojnë me intensitet.

Numërohen 36 vatra zjarri vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ku janë shuar 12 dhe 24 mbeten aktive. Tre qarqe janë problematike: Vlorë, Berat dhe Dibër. Aktive në misione edhe baza e helikopterëve të Farkës.

“Gjendemi në bazën e Kuçovës, nga ku monitorohet situata dhe janë angazhuar forca, përfshi edhe avionët Canadair prej 48 orësh në të gjitha vatrat e zjarreve në mbarë vendin, sikurse edhe në bazën e Farkës, nga ku operojnë helikopterët. Situata shkoi edhe sipas parashikimeve, pasi temperaturat ishin të larta, kapën shifra ekstreme deri në 44-45 gradë celcius. Për këtë arsye kemi pasur një situatë me 36 vatra të deklaruara në mbarë vendin dhe për të cilat punohet me të gjitha mjetet për fikjen e tyre. Janë shuar 12 prej tyre dhe 24 janë ende aktive. Në terren ndodhen edhe forcat e shumta në të gjitha bashkitë. Aktualisht operacioni nga ajri është pezulluar për shkak të errësirës dhe do rinisi nesër. Bëhen plane punë operacionale për ndërhyrje një ditë para”, tha ministri.

Ai dha detaje edhe për hartën e zjarreve dhe zonat më kritike ku është përqëndruar vëmendja e trupave dhe institucioneve.

“Më të prekura janë 3 qarqe, i Vlorës, Dibrës, ku angazhohen edhe dy helikopter dhe forca nga Tirana dhe situata është përmirësuar ndjeshëm. Ka pasur intensitet të vatrës. Si dhe në qarkun e Beratit, ku ka pasur vatra aktive, por e kemi mbajtur nën kontroll situatën si në Paftal, ashtu edhe në Shpirag, ku jemi mbështetur nga helikopterët, si dhe forcave aleate kroate dhe italiane që kanë bërë fluturime në disa qarqe. Jemi përqendruar në Borsh, Piqeras, Selenicë, Shashicë, kaninë dhe forcat janë të angazhuara në terren. Mbahen nën kontroll dhe me përqëndrim banesat, antenat, urbanistika, tunelet, transformatorët dhe kemi një kontroll të situatës me forca në terren dhe do qëndrojmë në gatishmëri gjatë gjithë natës, për të rinisur në mëngjes”, tha ai.

Ministri deklaroi se edhe mbështetja që kanë gjetur nga vënedet partnere dhe Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile ka qenë i madh.

“Kemi pasur mbështetje të plotë të forcave aleate, ka vajtje-ardhje të mjeteve të këtyre aleatëve, shkojnë dhe vijnë për misione. Por janë prezentë edhe nga vende të tjera dhe do vijojnë, ku i gjithë mekanizmi i mbrojtjes europiane është në gatishmëri”, pëfundoi Vengu.


Lajmi kryesor:

Zjarr në Kaninë-Delvinë-Borsh, në Sherishtë i afrohet landfillit, evakuohen 4 familje! Në flakë Parku Kombëtar i Prespës dhe Qafa e Buallit


A.Q/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?