Juventusi fitoi dje 4-2 me Sampdorian për javën e 26-të në Serie A. Bardhezinjtë me 38 pikë mbajnë vendin e shtatë, duke shpresuar te Apeli kundër Federatës për t'i kthyer 15 pikët e hequra në Serie A. Pas ndeshjes trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri u ndal te rëndësia e ndeshjes me Freiburgun në Europa League, duke anashkaluar Interin.
"Me problemin e pikëve merren drejtuesit, unë nuk dua të flas në lidhje me këtë temë. Ajo që po bëjnë lojtarët është shumë e rëndësishme. Tani jemi momentalisht të dytët në renditje duke llogaritur atë që kemi dhënë në fushë. Kemi marrë shumë lojtarë nga skuadra e dytë si Soule, i cili shënoi ndaj Sampdorias”, u shpreh trajneri i Juves fillimisht.
Me pas livornezi u ndal edhe te ndeshjet e ardhshme, me trajnerin e Juves që cilësoi si më të rëndësishme ndeshjen e Europa League kundër Freiburgut të enjten. Të diel në 19 mars në 20:45 luhet derbi i Italisë mes Interit dhe Juventusit, me trajnerin e bardhezinjve që ka anashkaluar zikaltërit.
"Ndeshja e radhës kundër Interit? Më e rëndësishme është ndeshja e së enjtes kundër Freiburgut", tha Allegri.