Policia e Vlorës ka gjetur pistoletën me të cilën u vetëplagos një ditë më parë 36-vjeçari, Olsi Alisinanaj
Pistoleta model “Ekol Special” ishte fshehur mes luleve nga shoku i të vetëplagosurit Gerti Meto, 42 vjeç.
Po kështu u sekuestrua edhe gëzhoja në vendin e ngjarjes, në lagjen “Hajro Çakëri”.
Ngjarja u zbulua pasi uniformat blu kqyrën pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.
I plagosuri dhe shoku i tij që fshehu armën janë arrestuar të dy nga policia. 36-vjeçari u paraqit në spital për të marrë mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
Në vijim të veprimeve hetimore, në kuadër të ngjarjes së ndodhur më datë 03.10.2025, në qytetin e Vlorës, ku një 36-vjeçar, O. A., u vetëplagos me armë zjarri dhe shoku i tij, G. M., pas ngjarjes fshehu armën e zjarrit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë vijuar veprimet për gjetjen e armës së zjarrit, tip pistoletë, të dyshuar të përdorur në ngjarje.
Arma e zjarrit e cila posedohej pa leje, e markës Ekol Special, u gjet në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në një rrugicë, e fshehur mes luleve, dhe u sekuestrua së bashku me një gëzhojë të gjetur në vendin e ngjarjes. Materialet shtesë do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente
