Politikë

Vetëvrasja e 17-vjeçares, Dogjani në Kuvend: Bullizohej, shteti e vrau se e la të varfër! Hoxha: Mos bëj politikë me drama familjare

13 Shkurt, 10:46| Përditesimi: 13 Shkurt, 11:36

  • Share

TIRANË- Deputeti demokrat, Asllan Dogjani ka ngritur në Kuvend çështjen e vetëvrasjes së 17-vjeçares Irsa Muçollari, e cila dyshohet se bullizohej në shkollë. Deputeti veshi me përgjegjësi qeverinë për vrasjen e saj, duke thënë se e vrau shteti pasi e la të varfër. Dogjani tha se gjimnazistja bullizohej nga shokët dhe shoqet e klasës pasi nuk kishte mundësi të vishej njëjtë si ata sepse ishte e varfër.

“U var se bullizohej nga shokët dhe shoqet. 17-vjeçaren nuk e vranë me armë grupet kriminale, por kreu i organizatës, Rama se e la të varfër, e la të pamundur për të veshur një fustan. E vrau shteti se ajo nuk kishte mundësi të ishte si shoqet e veta. Ja kush është vrasësi i 17-vjeçares. Jeni të pashpirt, kjo ngjarje do kishte mjaftuar që sot të kishte dhënë dorë kryeministri e gjithë qeveria e tij. Mendoni njëherë që ky fëmijë, kjo 17-vjecare të ishte fëmija i ndonjërit prej nesh, mendoni se ca dhimbje kanë prindërit e saj që mezi e kanë rritur pa bukë dhe sot në moshën 17-vjeçaren veten se psikologjia e shkollës nuk iu gjend, nuk e parandaluan këtë ngjarje”, tha Dogjani.

Në interpelancë, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se po bën politikë me drama familjare, pasi vetëvrasja e saj nuk ka ardhur për shkaqe varfërie.

“Të bësh politikë me vrasje dhe drama familjare, është kur s’ke ç’të thuash asgjë sa i përket argumenteve dhe të vërtetave që kanë të bëjnë qoftë me rastin e Gjirokastrës. Nuk është e vërtetë që është dramë varfërie, por një dramë familjare”, tha Hoxha.

Nga ana tjetër, Dogjani u ndal edhe tek vrasjet kriminale duke thënë se viti 2024 ka shënuar një ndër vitet më të përgjakura. Sipas deputetit demokrat, qeveria është bërë aleate e krimit dhe mafia vret pa frikë se mund të ndëshkohet. Një koment Dogjani e pati edhe për deklaratat e Ramës ndaj drejtësisë pas arrestimit të Veliajt, ndërsa tha se kanë mbështetjen e PD që të vazhdojnë punën. 

“Të kthehemi tek vrasjet, viti 2024 ka qenë një ndër vitet më të përgjakura, me një numër të lartë vrasjesh, nga ekzekutime mafioz, te vrasjet për larje hesapesh, apo krime brenda familjes. Shteti ka dështuar, se qeveria nuk është më armiku i krimit, por aleati i tij”, tha Dogjani.

Por, ministri Hoxha u ndal në shifra duke thënë se viti 2024 ka shënuar një minimum historik të numrit të vrasjeve.

"Nëse ndalojmë tek numrat, nga viti 2013 e deri më sot, ka një rënie progresive dhe domethënëse të numrit të vrasjeve nga viti në vit, duke shënuar një rekord të minimumit historik gjatë dy viteve të fundit, me respektivisht në 2024 kemi pasur 41 dhe në vitin 2023, rekordi i të gjitha kohërave, 35 vrasje, kundrejt 126 vrasjeve të ndodhura në vitin 2012.

Kjo është diferenca e shifrave dhe e vërteta për gjithë publikun dhe shqiptarët që po na ndjekin. Sa i takon zbulueshmërisë së kësaj vepre penale, për vitin që sapo lamë pas, deri në këtë moment janë zbuluar 86% e rasteve të veprës penale “Vrasje me dashje” dhe 94 % e rasteve të veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë", vijoi Hoxha. 

Ministri Hoxha u ndal edhe tek anketa për besueshmërinë tek Policia e Shtetit, duke thënë se 82% e qytetarëve shqiptarë të anketuar, deklaruan se ndihen të sigurt ose shumë të sigurt, ndërkohë që në vitin 2013 e njëjta anketë nxori në pah se 63% e qytetarëve ndiheshin të sigurt. 

Ora 11:01
Gafa/ Asllan Dogjani ‘vret’ deputetët Fadil Nasufi dhe Lulzim Basha në Kuvend (dhe një ‘Sorry...sorry!’)

Deputeti demokrat Asllan Dogjani kishte kërkuar interpelancë me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, për rendin dhe sigurinë, vrasjet dhe veçanërisht vetëvrasjen e një 17-vjeçareje në Gjirokastër ditë më parë.

Por teksa kishte kohën 15 minuta për të folur pas ministrit të Brendshëm, ai nisi të përmenddte ngjarjet kriminale, atentatet dhe deri emrat e viktimave. Nuk i shpëtoi gafave gjatë leximit të emrave.

Fillimisht ai kujtoi vrasjen e një personi (Bujar Nasufit), por në lapsus tha “vrasja e Fadil Nasufit...”. në sallë për pak sekonda pati ilaritet, pasi Fadil Nasufi është deputet socialist në Parlament, i qarkut të Beratit, ish-kryebashkiak. 

Ndërsa të pranishmit shpërthyen në të qeshura dhe i kujtuan gafën, Dogjani kërkoi ndjesë, jo në shqip, por në anglisht:

“Sorry, sorry....” (më vjen keq, ndjesë), tha ai.

Duke vijuar fjalën, teksa të qeshurat e kolegëve vijonin, Dogjani iu drejtua kolegut Nasufi:

“Fadil, do të të zgjatet jeta...”.

Por për të devijuar më tej vëmendjen, duke vijuar edhe batutat në parlament, Dogjani jo pa qëllim kujtoi edhe një ‘viktimë’ tjetër.

“Vrasja e Lulzim Bashës...”, tha ai dhe të qeshurat vijuan. Teksa shtoi: “Këtë e thashë për humor...”.

Më tej vijoi fjalën për përkeqësimin e rendit dhe sigurisë në vend dhe kujtuar emrat e viktimave në qytete.

Ora 11:00
Dogjani: 2024-a viti i vrasjeve të përgjakura, mafia ekzekuton pa frikë! Qeveria është kthyer në aleate e krimit

 

Deputeti demokrat Asllan Dogjani zhvilloi një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha në Kuvend për sigurinë në vend. Dogjani tha se 2024-a ka qenë një ndër vitet më të përgjakura, ndërsa përmendi disa nga vrasjet të viti që lamë pas. Dogjani tha se mafia dhe bandat vrasin pa frikë se do ndëshkohen, pasi qeveria nuk është më armiku i krimit, por aleati i tij.

“Situata e rendit është në ditët më të këqija të saj. Krimi ka hyrë në çdo familje e po terrorizon qytetarët shqiptarë. Të kthehemi tek vrasjet, viti 2024 ka qenë një ndër vitet më të përgjakura, me një numër të lartë vrasjesh, nga ekzekutime mafioz, te vrasjet për larje hesapesh, apo krime brenda familjes. Ju keni dështuar në mbrojtje të jetës dhe pronës, duke analizuar listën e gjatë të vrasjeve të 2024, shumica janë kryet me egërsi të madhe, vrasje mafioze që përcjellin pasiguri, frikë panik. Vrasjet ndodhin mes qytetin, në rrugë, lokale, banesa, terrori ka mbuluar çdo cep të Shqipërisë, Shkodër. Elbasan, e deri në derën e shtëpisë e dhomën e gjumit. Ekzekutime me automatik, vrasje me thikë, rrahje. Kriminelët kanë kryer vrasje më mënyrë brutale pa patur frikë nga pasoja duke dëshmuar një sistem të dështuar të rendit dhe ligjit. Ky vend është kthyer në zonë lufte, mafia dhe bandat vrasin pa frikë se do ndëshkohen dhe duke u mbrojtur edhe nga instancat shtetërore. Shteti ka dështuar, se qeveria nuk është më armiku i krimit, por aleati i tij”, tha Dogjani.

Ora 10:49
Kuvendi/ Ministri Hoxha në interpelancë, i përgjigjet Dogjanit: Po përdorni politikisht një dramë familjare, vrasjet në vend në minimum historik

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, mori fjalën në Kuvend sot pas interpelancës së kërkuar nga deputeti demokrat Asllan Dogjani, pas tragjedisë së ndodhur në Gjirokastër, ku një vajzë 17-vjeçare, Irsa Muçollari, u flijua për shkaqe dhe rrethana që dyshohet se lidhen me bullizimin e të ndjerës, si dhe situata social-ekonomike.

Kreu i dikasterit shprehu habinë për arsyen e interpelancës nga deputeti i PD, duke kujtuar se ngjarja fatkeqe nuk ka lidhje me Policinë e Shtetit dhe institucionin që ai drejton, teksa kujtoi se opozita po e përdorte politikisht një dramë familjare.

Ai renditi nismat, projektet dhe reformat e ndërmarra, që nga “Smart City”, implementimi i teknologjisë për rritjen e rendit dhe sigurisë, si dhe shifrën rekord të minimumit të vrasjeve të vitit të kaluar, vetëm me 35 të tilla.

Deputeti Dogjani në interpelancën e kërkuar vuri theksin te krimi i organizuar, gjendja e sigurisë së jetës dhe faktin e rrethanave se si një 17-vjeçare sipas tij, u vra për shkak te “një kryeministri jo normal dhe të korruptuar, kreu i një organizate kriminale”.

"Nuk e kuptova fare arsyen e thirrjes së interpelancës së Dogjanit, megjithatë unë jam i gatshëm të përgjigjem këtu për çdo pyetje si autoriteti më i lartë i institucionit të rendit dhe sigurisë në vend. Garantimi i rendit dhe sigurisë për qytetarët shqiptarë janë prioriteti kryesor i qeverisë, ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Por duke qenë punë komplekse, ka nevojë edhe për përmirësime.

Si bashkëpunimi me partnerët, përmirësimi i ligjit, të drejtës penale, teknologjia e sofistikuar dhe implementimi i saj. Ajo që thoni ju nuk është e vërtetë, është tragjedi familjare, dramë familjare, e marrë nga njerëz të thjeshtë dhe të rënduar psikologjikisht. Ngrihet pretendimi se ka më shumë vrasje dhe më pak siguri apo më shumë vepra penale. Nuk mund të bëjmë politikë me këtë dramë familjare dhe jetë. Nuk mund të baltoset puna e mijëra punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ka rënie progresive të numrit të vrasjeve nga viti në vit, shënon rekord historik. Në vitin 2024 kemi pasur 41 vrasje në vit dhe më 2025 kemi vetëm 35 vrasje, kundrejt 200 vrasjeve në vitin 2012. Deri në këto momente mbi 80% e vrasjeve janë zbuluar dhe 94 për qind vrasjet në tentativë të sbuluara. Shiffrat flasin vetë, por nuk dëshmojnë çrrënjosjen totale të kriminalitetit, sepse historia e tregon se është e pamundur, madje edhe në vende më të zhvilluara. Pjesa më e madhe e krimeve të vrasjeve vijnë nga motive e shkaqe banale, shkaqe të çastit.

Kemi fuqizuar të gjithë mekanizmat lokalë të forcimit dhe sigurisë, me këshillat në komunitet dhe ata vendor të sigurisë. Konstatimet dashakeqe për sigurinë kanë qëllime të eklipsojnë rezultatet e arritura këto vite. Ndihem i keqardhur që po përdorni e trajtoni publikun si spektatorë, me raste fatkeqe", tha Hoxha. 

Ora 10:49
‘Kryeministri s’është mirë nga koka’, Spiropali i kthehet Dogjanit: Mos guxoni të fyeni në foltoren e parlamentit

Një debat i ashpër u zhvillua në parlament mes kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali dhe deputetit të PD-së Asllan Dogjani.

Dogjani nënvizoi se vetë bashkëpunëtori i Ramës ka thënë se kryeministri sillet me brekë nëpër këmbë nëpër zyrat e shtetit. 

“Rama e ka kthyer Ministrinë e Brendshme në një vegël për pushtetin e tij. Si mund të mbani përgjegjësi, kur keni kryeministër që jeton si monark. Kemi kryeministër që sillet me brekë nëpër këmbë nëpër zyrat e shtetit, e ka thënë zv.ministri, sepse dukshëm nuk është mirë nga koka”, tha Dogjani.

Ndërkohë Spiropali i tha Dogjanit se nuk mund të përdorte fyerje në foltoren e Kuvendit.

"Përfundo fjalën. Mos guxoni të flisni mbi fyerje e shpifje", tha Spiropali.

"Mbylle ti gojën. Po them atë që kanë thënë bashkëpunëtorët tuaj", tha Dogjani.

"Është e papranueshme që të fyeni zyrtarë të lartë, kryeministrin, ministra apo deputetë", shtoi Spiropali.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestimi i Veliajt, si e vlerësoni qëndrimin e Ramës ndaj drejtësisë?