SHKODER- Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) ka nisur hetimet pas vetëvrasjes së Ardian Kallamit 47 vjeç dje në Vaun e Dejës. Ai u gjet i vetëvarur mesditën e djeshme pas daljes nga komisariati i policisë. Ai u shoqërua të shtunën nga policia, me dyshimin e grabitjes së një banese në Vaun e Dejës, por më pas u lirua, ndërsa dje u thirr sërish duke u marrë disa orë në pyetje.
Burime për Report Tv pohojnë se ai e ka regjistruar me telefon momentin që është shoqëruar në polici, ndërsa videoja është sekuestruar nga prokuroria. Sipas burimeve nga prokuroria gjatë shoqërimit, në regjistrimin që ka bërë dëgjohet teksa u drejtohet policëve me fjalët ‘Nuk kam bërë asgjë, jam i pafajshëm, më lini rehat në punët e mia’.
Pas daljes nga komisariati ai u gjet i vetëvarur, ndërsa familja akuzon policinë për dhunë fizike dhe psikologjike, që e dërguan drejt vetëflijimit. Nga ekspertiza ka rezultuar se ndaj tij nuk është ushtruar dhunë fizike, ndërsa SHÇBA ka nisur hetimet duke nisur nga hyrje-daljet në komisariat dhe të gjitha veprimet e tjera të grupit hetimor.