Gjyqtari Admir Thanza me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Lartë, do të dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në datën 10 korrik. Thanza mban këtë post që nga prilli i vitit 2013. Më herët, gjyqtari Admir Thanza ka qenë pjesë e trupës së Gjykatës Kushtetuese, si dhe pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ngjarja e 2016-ës
Thanza është bërë i njohur në vitin 2016, kur bëri publik rastin se u kërcënua nga një avokat, i cili i kërkoi 8 mijë dollarë nëpërmjet një mesazhi. Thanza kallëzoi avokatin Arjan Kalaja, për gjobëvënie.
Mesazhi kërcënues është nisur në verën e vitit 2013, vetëm pak muaj pasi gjyqtari Thanza është emëruar pranë Gjykatës së Lartë, pas mbarimit të mandatit si gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese
Gjyqtari Thanza pretendonte se avokati e ka shantazhuar se në rast të mos pagimit të shifrës prej 8 mijë dollarë ai do të denonconte në media për afera korruptive.
Asokohe avokati Kalaja përdori si alibi djalin e tij, për të cilin tha se para se të ndërronte jetë, mund t’ia ketë nisur mesazhin kërcënues.
Me gjithë qëndrimin mohues të të pandehurit Kalaja, më 20 maj 2016 ai u shpall fajtor për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe u dënua me 2 vjet burg, dënim që u pezullua duke e lënë në liri me kusht për një periudhë 2 vjeçare.