Tregu i fruta–perimeve në Sarandë po përballet me mungesë të blerësve e për pasojë shitës të paktë, disa jashtë tregut në trotuar. Produkte të ekspozuara në kushte jo të përshtatshme dhe pa etiketa të çmimeve, vihen re gjatë vëzhgimit me kameran e 'Report TV'.
Në treg shihet qartë boshatisja e hapësirave dhe mungesa e lëvizjes që dikur e karakterizonte këtë treg të rëndësishëm për qytetin turistik.
Sipas tregtarëve, rënia e ndjeshme e shitjeve vjen si pasojë e disa faktorëve, si hapja e supermarketeve, kushtet e vështira të tregtimit brenda tregut si dhe mungesa e besimit nga qytetarët për cilësinë e produkteve.
Shumë prej tregtarëve nuk pranojnë të flasin përpara kamerës, por jashtë saj shprehen të zhgënjyer nga renia e fuqise blerese. Ata theksojnë se prej vitesh nuk ka asnjë përmirësim. Ndërkohë, blerësit, në pjesën më të madhe pensionistë, shprehen të pakënaqur me çmimet, të cilat sipas tyre janë të papërballueshme.
"Pensioni është i ulët, çmimet janë shumë të larta. Nuk kemi mundësi të blejmë as perime, as fruta. Kemi nevojë për kontroll të çmimeve dhe të cilësisë së ushqimeve”, thane ata.
Qytetarët kërkojnë më shumë kontrolle mbi cilësinë dhe çmimet e produkteve ushqimore, duke theksuar se mungesa e rregullave dhe kushteve ka çuar në boshatisjen e tregut.
Komente
