Report TV rikthehet pas dy muajsh në Gorisht, aty ku prej dy dekadash lumi Vjosa ndotej prej mbetjeve hidrokarbure të “Albpetrol”. Sot situata është përmirësuar por ende ka shumë punë për t’i rikthyer ngjyren e kristalte. Kompania shteterore e naftes ka pastruar perroin, por kjo sipas drejtuesit të ECO Albania, Olsi Nika, nuk mjafton.
“Kompania e ka pastruar një pjesë e përroit, por kjo nuk është qasja e duhur. Duhet një plan për trajtimin e mbetjeve hidrokarbure. Nëse e pastrojmë sot dhe nesër hidhet përsëri, nuk shkon për një park kombëtar. Lugina e Vjosës nuk ka më vend për naftë bruto”, thekson Nika
Sipas ambientalistit, Leondar Sonten, institucionet shqiptare veprojne ngadale dhe as nuk kanë nje vizion te qarte per menaxhimin e Parkut Kombetar.
“Eshtë dizaster! Vjosa është një thesar i çmuar që duhet mbrojtur me përkushtim. Është detyrë e qeverisë, institucioneve dhe organizatave mjedisore që të bashkëpunojnë për ta mbajtur të pastër, për gjallesat qe jetojne aty dhe bukurite qe e rrethojne. Vjosa është e jona, i përket gjithë Europës dhe brezave që do të vijnë”, tha Leonard Sonten, drejtues i “EuroNatur”.
Një tjetër “hot spot” gjendet në Selenicë. Rërë bituminoze që del nga miniera dhe pirgje të mëdha mbeturinash hidhen në shtratin e lumit Vjosa, duke rrezikuar ekosistemin. Po keshtu janë vendosur struktura betoni për të frenuar erozionin.
“Strukturat betoni të ndërtuara për mbrojtjen e tokave nga permbytjet nuk funksionojnë se ato shkatërrohen pas dy vitesh. Zgjidhja duhet të bazohet tek natyra: mbjellja e pemëve dhe fidaneve për mbrojtjen e tokave nga erozioni. Po keshtu duhet nje zgjidhje afatgjate per vendgrumbullimin e bitumit”, u shpreh drejtuesi i “Eco Albania”.
Parku Kombëtar i Vjosës është i mbrojtur me ligji, por duket se ky ligj nuk ka fuqi të njëjtë në të gjithë gjatësinë e lumit.
“Eshtë vetëm një park në leter. Ritmi i qeverisë është i ngadaltë. Ende sot, pas dy vitesh e gjysmë, Lumi Vjosë po përballet vazhdimisht me presione nga industritë nxjerrëse dhe mbetjeve inerte e urbane”, shton ai.
Shpallur Park Kombëtar në vitin 2023, Vjosa është habitat për mbi 1100 lloje specie, përfshirë 13 specie të rrezikuara globalisht. Qeveria po ndjek njëkohësisht procedurat për shpalljen e Lugines se Vjoses si Rezervat të Biosferës UNESCO, ndaj masat duhet te jene te menjehershme per te ndalur ndotjen.
Komente
