SNUS trend i gjimnazistëve, eksperti Shuperka ngre alarmin: Po vriten fëmijët! Shitja e anti-duhanit nën moshën 18 vjeç, e papranueshme

16 Shkurt, 16:33| Përditesimi: 16 Shkurt, 16:54

  • Share

Vëzhgimi i Report TV lidhur me SNUS, një produkt anti-duhan me përmbajtje të lartë nikotine që po përdoret masivisht si trend nga të rinjtë, ka marrë vëmendjen e ekspertëve të shëndetit publik. Eksperti për anti duhanin Roland Shuperka e konsideron tepër të rrezikshme përdorimin e SNUS nga minorenët, duke i bërë apel autoriteteve  të marrin masa lidhur me kontrollin e këtij produkti.

“Nuk mundet që ti, një shitës me pakicë, të vrasësh fëmijën tim duke shitur produkte alternative të duhanit nën moshën 18 vjeç, kjo është e papranueshme”, tha Shuperka.

Apeli është i fortë nga një prej ekspertëve më të njohur të shëndetit publik në vend, Roland Shuperka për alarmin që ngre përdorimi i SNUS nga të rinjtë, i vërtetuar se është tashmë trend në gjimnaze nga vëzhgimi i Report Tv. Konsumi i këtij produkti nga të rinjtë të cilët nuk kanë qëllim lënien e duhanit, por e shohin vetëm si modë për ekspertin Shuperka është jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin.

 “SNUS-i ka hyrë muajt e fundit në vendin tonë dhe që po përdoret si trend nga moshat e reja, duan të eksperimentojnë, presioni i grupit. Por problemi kryesor është se ky produkt si çdo produkt tjetër duhani dhe nga të gjitha produktet e reja alternativa është jashtëzakonisht i dëmshëm dhe nuk bëhet fjalë për përdorim nga të rinjtë. Ky produkt nuk rekomandohet të përdoret nga personat që nuk janë duhanpirës”, shtoi ai.

I ndaluar në shumë vende të Europës pasi shkakton kancer të gojës, SNUS është një produkt i paketuar në qeska të vogla si ato të çajit është një lloj duhani i grirë i lagësht dhe pa tym i cili vendoset mes buzës dhe dhëmbëve, përmban nikotinë dhe ka si qëllim të ndihmojë duhanpirësit të lënë duhanin. Në vëzhgimin e bërë nga Report TV në kryeqytet, konstatoi se SNUS, jo vetëm që tregtohet lirshëm nëpër tabachino pranë shkollave, por klientët më të shpeshtë ishin vetë ata, gjimnazistët.

Gazetari: A blejnë të rinjtë?

ShitësjaE marrin shumë, këta mosha e shkollës, gjimnazet, e marrin.

Teksa apelon për institucionet një zbatim më të rreptë të ligjit lidhur me ndalimin e shitjes së këtij produkti për të rinjtë, profesor Shuperka këshillon prindërit të jenë vigjilentë me fëmijët e tyre, ndërsa bashkëpunimin e tyre me mësuesit kujdestarë në shkolla e konsideron tepër të domosdoshëm.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?