Gianluca Vialli

Vialli, sëmundja dhe forca e një shembulli: Do të doja që dikush një ditë të thoshte ‘falë teje nuk u dorëzova’! Në fillim ndjeja një lloj turpi, si të ishte faji im

6 Janar 2023, 17:50| Përditesimi: 6 Janar 2023, 17:59

  • Share

Gianluca Vialli ndërroi jetë sot në Londër në moshën 58-vjeçare: ai vuante nga kanceri pankreatik prej 5 vitesh. Një një intervistë dhënë gazetarit Aldo Cazzull ishte hera e parë që ai i tregoi sëmundjen e tij. Historia e sëmundjes, për të cilën askush përveç anëtarëve më të afërt të familjes nuk dinte gjë. Veç që në intervistë Luca Vialli absolutisht nuk donte të fliste për të. Ai u bind pas orë e orë të tëra diskutimi në telefon. Ai donte ta lexonte përsëri tekstin dhe kërkoi të hiqte detajet më intime.

“Me kënaqësi do të kisha bërë pa këtë gjë të shëmtuar. Por nuk ishte e mundur. Dhe kështu e konsiderova thjesht një fazë të jetës sime që duhej jetuar me guxim, nga e cila të mësoja diçka. E dija se ishte e vështirë t'u tregoja të tjerëve, familjes time. Ju kurrë nuk do të dëshironit të lëndonit njerëzit që ju duan: prindërit e mi, vëllezërit dhe motrën time, gruan time Cathryn, vajzat tona të vogla Olivia dhe Sofia. Dhe ndjehet si një ndjenjë turpi, sikur ajo që të ndodhi të ishte faji yt. Shkova me një pulovër poshtë këmishës, që të tjerët të mos vinin re asgjë, për të qenë akoma Vialli që njihnin”, tregonte ai.

Herë pas here biseda ndërpritej dhe për ta nisur sërish, i kthehej futbollit. Fillimet në provincë: Pizzighettone, Cremonese. Jo i tha Juventusit të Agnellit, Milanit të Berlusconit, Napolit të Maradonës. Ai ishte i dashuruar me presidentin e Sampdorias, Mantovani.

"Sa herë dilja nga zyra e tij më dukej sikur po ecja mbi ujë”, thoshte ai.

Ai ishte i dashuruar me Viallin dhe Mancinin, deri në atë pikë sa t'i quante qentë e tij Gianluca dhe Roberto. Së bashku ata fituan Scudetton e parë dhe të vetme të Sampdorias. Ata arritën në finalen e Kupës së Kampionëve, humbën ndaj Barcelonës në Ëembley 1-0 pas kohës shtesë dhe u riluajtën nga Vialli në makthet e tij për katër vjet. Nga ana tjetër, me Juven fitoi kupën në Olimpico; në penallti, pa pasur nevojë të gjuante të tijën.

“Ishte një lehtësim i pafund. Në të njëjtin stadium kisha humbur një penallti në Kupën e Botës 1990 kundër Shteteve të Bashkuara. Atë natë e dija se ishte shansi im i fundit për të fituar Ligën e Kampionëve. Mendoni për makthet”.

Për kohën te Juve foli me krenari.

“Aty ndjen peshën e fanellës, detyrën ta kthesh dhe ta palosësh mirë dhe duke e vendosur pak më lart se ku e ke marrë”, tregonte ai.

Por ai nuk u përmbajt me Calciopoli.

“Ajo Juve mund të kishte fituar 6 apo 7 kampionate nga 10, duke respektuar rregullat. Por më pas grykësia e bëri të përpiqej t'i fitonte të gjitha, duke mos respektuar rregullat”.

Ai kishte fituar një kampionat të madh evropian në 1988, por nuk kishte pasur kurrë fat në Kupën e Botës: shumë i ri në Meksikë '86, jashtë formës në Italinë '90.  Ai hoqi dorë nga thirrja në SHBA '94 për mosmarrëveshje me Sacchi-n,

“Dhe bëra një gabim. Fanella ‘azzuro’ (e kaltër) nuk refuzohet kurrë”, shprehej ai.

Ai kishte qenë një lojtar i madh, por i pëlqente të nënvlerësonte veten.

“Isha një qendërsulmues me fat. Kam garuar për Mancinin, Zola, Baggio, Del Piero…».

Dhe në fund sërish për sëmundjen. Operacioni, tetë muaj kimioterapi, gjashtë javë radioterapi.

“Jam kthyer të kem një fizik bishë”, thoshte ai duke qeshur.

Ai kishte shënuar një fjali në një shtyllë të verdhë të varur në mur, për t'u rilexuar në momentet më të rënda.

"Ne jemi produkt i mendimeve tona".

I pyetur nëse do ta fitonte atë lojë ai u përgjigj:

“Nuk është e rëndësishme të fitosh; është të menduarit fitues. Jeta është 10 për qind ajo që na ndodh neve dhe 90 për qind si e trajtojmë atë. Shpresoj se historia ime mund t'i ndihmojë të tjerët të merren me atë që po ndodh në mënyrën e duhur. Nëse heq dorë një herë, atëherë bëhet zakon. Do të doja që një ditë dikush të më shikonte, ose të mendonte për mua dhe të thoshte: “Është edhe falë teje që nuk jam dorëzuar”, ishte mesazhi i bukur i një futbollisti të madh që frymëzoi shumë.

Përshtati në shqip nga Corriere, Shqiptarja.com

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?