Gondomar, Portugali - Futbollisti i Portugalisë dhe Liverpool, Diogo Jota dhe vëllai i tij, Andre Silva (futbollist i Penafiel), humbën jetën në mënyrë tragjike më 3 korrik, në një aksident fatal me Lamborghinin e tyre, në rajonin e Zamoras në Spanjë, shumë pranë kufirit me Portugalinë.
Shpërthimi i një prej gomave të makinës gjatë parakalimit në autostradë bëri që mjeti të humbiste kontrollin, të përplasej me barrierat anësore dhe të merrte flakë, me vëllezërit të bllokuar në makinë. Aq fatal dhe tragjik ishte aksidenti, sa trupat e Diogo dhe Andre Silvës u identifikuan nga familjarët vetëm nga sendet personale që nuk ishin shkrumbuar dhe nga analizat ADN.
Të premte, duke nisur nga ora 16:00 në Gondomar, një qytezë pranë Portos në Portugali, vendlindja e të ndjerëve, u mbajtën homazhe publike ku mijëra njerëz i dhanë lamtumirën e fundit dy vëllezërve që kanë prekur jo vetëm botën e sportit. Paraditen e të shtunës duke nisur nga ora 11:00 në kishën e 'Ngjalljes' ishin gjithë drejtuesit më të lartë të futbollit dhe shtetit portugez, përfshi kryeministrin e Portugalisë, Luis Montenegro, i cili u përkul me nderim përpara arkëmorteve të dy vëllezërve që humbën jetën në moshë shumë të re.
Dje dhe sot në ceremoninë e lamtumirës morën pjesë edhe lojtarët e Liverpool, Virgil Van Dijk, Alexis Mac Allister, Andy Robertson, Curtis Jones, Harvey Elliott, Wataru Endo, Federico Chiesa, portieri Caoimhin Kelleher dhe trajneri Arne Slot, si edhe ish-futbollistët e të kuqve, James Milner dhe Jordan Henderson. Thuajse të gjithë futbollistët e Portugalisë (Cristiano Ronaldo nuk u pa) ishin të pranishëm në ceremoninë e lamtumirës, duke mos munguar as drejtuesit më të lartë të Liverpool, Penafiel, federatës portugeze dhe përfaqësues nga UEFA e FIFA, si edhe emra të njohur në futbollin evropian.
Pas shërbesës në kishë, një ceremoni private me familjarët dhe rrethin e ngushtë të dy vëllezërve u zhvillua në varrezat pranë, aty ku do jenë banesat e fundit të Diogo Silvës (Jota) dhe Andre Silvës.
HOMAZHET
Për ditën e tretë tanimë, homazhe u mbajtën edhe jashtë stadiumit "Anfield Road" në Liverpool, ku janë me mijëra tifozë që kanë marrë pjesë duke lënë lule, bluza, shaje dhe mesazhe në kujtim të sulmuesit të tyre dhe vëllait të tij.
Ish-kapiteni Jordan Henderson nuk i mbajti dot lotët teksa vendoste një kurorë me një mesazh prekës: “Prehu në paqe, miku im, bashkë me vëllain tënd André. Do na mungosh të gjithëve.”
Mohamed Salah, sulmuesi i Liverpoolit, tha se e kishte të vështirë të mendonte kthimin në klub pas kësaj humbjeje tronditëse: “Jam pa fjalë. Deri dje, nuk mendoja se do kishte ndonjë gjë që do më trembte të kthehesha në Liverpool.”
Për nder të tij, në koncertin e ribashkimit të grupit Oasis në Cardiff, imazhi i Jotës u shfaq në fund të këngës “Live Forever”, duke marrë duartrokitje të gjata nga stadiumi i mbushur.
Edhe rivali lokal i Liverpoolit, klubi Everton, nuk qëndroi indiferent. Një delegacion, përfshirë sulmuesit me origjinë portugeze Beto dhe Youssef Chermiti, vendosi lule pranë 'Anfield'.
Ish-këshilltari i qytetit të Liverpoolit, Peter Millea, tha për BBC: “Ishte një nga ata lojtarë që e fiton menjëherë zemrën e tifozëve, jo vetëm për golat, por për mënyrën si sillej brenda dhe jashtë fushës.”
Në stadiumin 'Molineux' të Uolves, ish-klubi i tij, tifozët kryen homazhe. Në Uimbledon, tenisti portugez Francisco Cabral veshi një shirit të zi, ndërsa në ndeshjen e Euro 2025 për femra mes Danimarkës dhe Suedisë u mbajt një minutë heshtje, njësoj si në Kupën e Botës për Klube.
HETIMET
Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim të thelluar për të zbuluar shkaqet që çuan në vdekjen tragjike të dy futbollistëve. Sipas raportimeve nga autoritetet spanjolle, vetura pësoi një shpërthim të gomës së pasme gjatë një manovre parakalimi në autostradën A-52.
Mjeti doli nga rruga, theu barrierën mbrojtëse dhe u përmbys, për t’u përfshirë më pas nga flakët. Të dy pasagjerët mbetën të bllokuar brenda kabinës dhe vdiqën në vendngjarje. Vetura, një nga modelet më të shpejta të Lamborghinit, u shkatërrua në atë masë sa ishte e pamundur të identifikohej. Sipas Guardia Civil, identiteti i viktimave u konfirmua përmes dokumenteve, targës së mjetit dhe ADN-së.
Pse shpërtheu goma?
Një nga shkaqet më të zakonshme të shpërthimeve të gomave është presioni i pamjaftueshëm, shpimi nga ndonjë objekt i mprehtë apo dëmtimi i murit anësor. Mbingarkesa e mjetit, në kombinim me këta faktorë, mund të përshpejtojë një dështim të tillë.
Edhe pse gomat e Lamborghinit janë të teknologjisë së lartë dhe të kontrolluara me kujdes, asnjë mjet nuk është imun ndaj rreziqeve fizike të rrugës. Defekte të mundshme prodhimi konsiderohen jashtëzakonisht të rralla për gomën e kësaj klase dhe nuk ka asnjë tregues zyrtar deri më tani që të sugjerojë se ky ishte rasti.
Sipas raportimeve, Jota dhe vëllai i tij ishin duke udhëtuar drejt qytetit portual Santander, për të marrë një traget drejt Mbretërisë së Bashkuar. Mjekët i kishin ndaluar futbollistit Jota të fluturonte, pas një operacioni në mushkëri, dhe për këtë arsye ai kishte zgjedhur udhëtimin me makinë.
Rute Cardoso, bashkëshortja e 28-vjeçarit Diogo Jota është parë 'e shkatërruar' në funeralin e ish-sulmuesit të Liverpool. Dyshja ishin celebruar në martesë vetëm më 22 qershor, pra dy javë më parë dhe ishin prindër të tre fëmijëve, më i madhi katër vjeç. Të njohur që në shkollë të mesme, historia e Diogos dhe Rute ishte si ato e përallave, por që aksidenti tragjik në minutat e para të 3 korrikut i dha fund një ndjenje që zgjaste prej 13 vitesh. Ndryshe nga çdo funeral, Rute sot ishte veshur me të bardha, njësoj si velloja e dy javëve më parë.
Ruben Neves humbi mikun më të mirë, Diogo Jotën. Futbollisti i Al Hilal ishte në fushë dje në SHBA me ekipin e tij, në humbjen 2-1 kundër Fluminense në Kupën e Botës për Klube.
Në nisje të ndeshjes një minutë heshtje u mbajt në nderim të Diogo Jotës dhe vëllait të tij, Andre, që humbën jetën në aksident. Portugezët Neves dhe Joao Cancelo nuk mundën t'i mbanin lotët për bashkëlojtarin e tyre te Portugalia, Jota. Në pamje duket Ruben Neves që qan me ngashërim, aq sa shokët e tij pranë, Koulibaly dhe Milinkovic-Savic mundohen ta ngushëllojnë.
Më pak se 12 orë më parë ishte në fushë në SHBA me Al Hilal në Kupën e Botës për Klube, por miku më i mirë i Diogo Jotës, Ruben Neves nuk mund të mos i jepte përshëndetjen e fundit ish-sulmuesit të Liverpool.
Ruben Neves mbërriti në Gondomar dhe ishte pranë trupit të pajetë të dy vëllezërve Silva, të cilët humbën jetën në orët e para të 3 korrikut pas një aksidenti fatal kur Lamborghini i tyre shpërtheu në flakë dhe ata mbetën të bllokuar brenda makinës.
Arkmortet me trupat e pajetë të Diogo Jotës dhe Andre Silvës u futën në kishën e 'Ngjalljes' në Gondomar në orën 11:07 të kësaj të shtune, në qytezën e tyre të lindjes në afërsi të Portos. Të udhëhequr nga prifti katolik i Dioqezës dhe mijëra të pranishëm, miqtë dhe të afërmit shoqëruan për herë të fundit dy vëllezërit që humbën jetën tragjikisht dy ditë më parë.
Futbollistët e Liverpool, Portugalisë dhe Penafiel ishin të pranishëm në ceremoni. Të shumtë ishin personalitetet e futbollit ndërkombëtar, gazetarë dhe drejtues klubesh e institucionesh që zhvilluan homazhe për futbollistët.
Me lule në duar, lot në sy dhe kambanat me tingullin funebër, dy vëllezërit u përcollën për në banesën e fundit me duartrokitjet e fansave.
Një nga mediet më të mëdha sportive në Portugali, 'Record' bën me dije se Liverpooli ka vendosur mos ndërpresë kontratën e Diogo Jotës, pas vdekjes së këtij të fundit së bashku me të vëllanë në një aksident rrugor.
Jota kishte kontratë me Liverpoolin edhe për dy sezonet e ardhshme, teksa pagat do kalojnë te bashkëshortja e tij, Rute Cardoso. Një gjest madhështor nga klubi i kuq që tregon se futbolli është më shumë se një lojë futbolli. Sipas të dhënave nga platforma 'Capology', Jota kishte rreth 21,84 milionë paund bruto në kontratë për periudhën 2025–2027 (rreth 7,28 milionë paund/vit).
Shokët e Diogo Jotës te Liverpool i dhanë lamtumirën mikut të tyre dhe vëllait të tij. Kapiteni Virgil Van Dijk, Alexis Mac Allister, Andy Robertson, Curtis Jones, Harvey Elliott, Wataru Endo, Federico Chiesa, portierin Caoimhin Kelleher dhe trajneri Arne Slot ishin të pranishëm në Gondomar, vendlindjen ku do prehen vëllezërit Diogo dhe Andre Silva.
Ish-bashkëlojtarët e Jotës, James Milner dhe Jordan Henderson ishin të pranishëm gjithashtu. Lojtarët e Portugalisë, Bruno Fernandes, Ruben Dias dhe Bernardo Silva udhëtuan të premte për homazhe në Gondomar. Veç tyre të pranishëm kanë qënë shumë futbollistë që kanë ndarë dhomat e zhveshjes me Diogon dhe të vëllanë, si edhe shumë drejtues klubesh dhe përfaqësues nga FIFA, UEFA.
Zyrtarët më të lartë të Federatës portugeze, përfshi presidentin morën pjesë në homazhe. Edhe ish-trajneri Fernando Santos u pa në homazhe.
Komente
