Ish-kapiteni i Portos, Jorge Costa ndërroi jetë të martën në moshën 53-vjeçare, pasi pësoi një atak kardiak në qendrën stërvitore të klubit. Ish-mbrojtësi, i cili shërbente si drejtor sportiv i Portos në sezonin e tij të dytë në këtë rol, u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi të shpëtonte.
Në sezonin 2003 dhe më pas në vitin 2004 ai në fushë dhe Jose Mourinho në stol fituan Kupën UEFA dhe trofeun e Champions League. Ish-trajneri dhe miku i tij, Mourinho nuk i mbajti dot lotët. Portugezi u pyet për këtë ngjarje të dhimbshme para ndeshjes mes Feyenoord dhe Fenerbahce, e cila vlen për turin e tretë kualifikues të Champions League.
"Është një pjesë e historisë sime që po largohet", tha Mourinho me lot në sy, para se të mundohej të përmbahej.
"Ka kapitenë dhe liderë, nuk është çështje shiritash, por e asaj që përfaqëson. Jorge Costa ishte një nga ata që pastronte kaosin dhe i linte trajnerit mundësinë të bënte punën si trajner, jo si lider i dhomave të zhveshjes. Kjo është përsosmëria për një trajner", tha ai.
Më pas, “Special One” shtoi: “Jam shumë i trishtuar. Le ta harrojmë futbollistin dhe të përqendrohemi te Jorge Costa si njeri, te fëmijët e tij që i kam njohur… Jam këtu sepse, po të mund të më fliste tani, do më thoshte: Luaj nesër dhe fito. Ai ishte Jorge. Kam një punë për të bërë. Mund të qaj nesër”, mbylli mes emocionesh Mou.
Komente
