UDINE, Itali - Serie A e futbollit në Itali është në raundin e 32-të. Gjithçka u hap të premte në "Friuli", aty ku vendasit e Udineses nuk i bënë ballë Milanit dhe u mposhtën 0-4. Vëmendjen në këtë sfidë e mori portieri kuqezi (Mike Maignan), i cili u dëmtua dhe doli jashtë fushe me barelë, për të kaluar natën në spital.
NDESHJA - Sfida nisi me raste dhe ritëm, teksa në shënjestër ishte vendosur portieri i Milanit, Mike Maignan. Francezi një sezon më parë në këtë stadium la fushën për shkak se vendasit po e sulmonin me thirrje raciste.
Duhej minuta e 42-të që Milani të zhbllokonte ndeshjen dhe për këtë mendoi Rafael Leao. Portugezi mori një pasim nga Fofana dhe nuk gaboi. Më pas, tre minuta më vonë Pavlovic përfitoi nga pasimi i Pulisic dhe dyfishoi shifrat, për të dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-2.
Pjesa e dytë nisi me një moment dramatik, aty ku Gimenez u përplas me bashkëlojtarin e tij Maignan. Portieri i Milanit u shemb në tokë dhe frika pushtoi të pranishmit, aq sa Abraham në stol u ul në gjunjë dhe nisi të lutej.
Për disa minuta mjekët u kujdesën që francezi të merrte veten dhe më pas e larguan nga stadiumi me barelë, ku tifozët nga fërshëllimat e pjesës së parë nisën ta duartrokisnin. Portieri e kaloi natën në spital dhe mëngjesin e së shtunës u rikthye në Milano.
Në vijimin e lojës, Theo në minutën e 74 dhe Reijnders në të 81 shënuan edhe dy gola të tjerë për Milanin. Pas një muaji Milani rikthehet te suksesi dhe ngjitet në kuotën e 51 pikëve për vendin e nëntë, duke lënë Udinesen me 40 pikë dhe katër humbje radhazi në pozitën e 11-të.
Trajneri i Milanit, Sergio Conceiçao foli pas fitores 0-4 që ekipi i tij siguroi në udhëtim kundër Udineses. Portugezi e vendosi theksin te mbrojtja me tre lojtarë, e cila sipas trajnerit i jep ekipit më shumë ekuilibër. Mendja e Milanit nuk mund të jetë larg Evropës.
“Kemi punuar për mbrojtjen me tre edhe gjatë pushimit (kualifikueseve të kombëtareve). Këtë herë kemi punuar me këtë ide si me topin, ashtu edhe pa të, sepse më në fund kishim një javë të plotë për t’u stërvitur.
Jemi më të mbrojtur në këtë mënyrë, pata ndjesi pozitive. Tani fillojmë të mendojmë për Atalantën, pashë një skuadër të ekuilibruar.
Ndeshja më e bukur nën drejtimin tim? Fitorja më e bukur ende nuk ka ardhur.
Theo Hernandez? Të gjithë e dimë që në aspektin ofensiv është një nga më të mirët në botë, në rolin e tij. Donim t’i jepnim më shumë mbrojtje dhe me këtë sistem ai është më i mbrojtur. Kemi punuar që Jovic të bëjë lëvizje për të liruar hapësira, duke zbritur thellë apo shkuar në thellësi. E kemi bërë këtë zgjedhje, sepse kundërshtari ishte shumë fizik, donim të përfitonim nga shpejtësia jonë.
Një vend në Europë? Duhet të mendojmë ditë pas dite, nuk ka më nevojë të flasim për këtë. Kanë rëndësi vetëm rezultatet, le të përqendrohemi në to”, tha Conceiçao.
Komente
