NAPOLI, Itali - Nën kraterin e Vezuvit dhe me 50 mijë zemra në stadium dhe miliona të tjera në mbarë botën, Napoli është shpallur zyrtarisht kampion i Italisë për herë të katërt në histori. ‘Scudetto’ në Itali këtë sezon u vendos me ‘fotofinish’ dhe u desh java e 38-të dhe e fundit që napoletanët e Antonio Contes të siguronin titullin matematikisht.
Në një garë të ethshme me Interin që deri para sfidës ishte kampion në fuqi, Napoli me një pikë më shumë (82) mposhti 2-0 Cagliarin për të përflakur qytetin nga flakadanët e tifozëve që kishin mbushur sheshet dhe ishin afro 150 mijë duke e ndjekur në ekranet gjigande. Paçka se Interi fitoi në Como, me vetëm një pikë më shumë Napoli siguroi titullin nën drejtimin e Contes.
NDESHJA - Përballja në ‘Maradona’ nisi qysh në drekë, me dhjetra mijëra tifozë që u grumbulluan në baret dhe sheshet e qytetit, teksa pasditja ishte e kaltër në Napoli. 50 mijë në stadium dhe më shumë se 150 mijë në sheshet dhe rrugët e qytetit i dhanë një karikim shtesë ekipit.
Dueli nisi mirë për Napolin, por ishte portieri i Kombëtares, Alen Sherri, që në tre raste ndali sulmin e vendasve, duke shmangur golat. Megjithëse shkodrani ishte në një ditë të mirë, ai nuk mundi të ndalte golin me gjysmë-roveshatë të Scott McTominay në minutën e 42-të. Skocezi është njeriu i sezonit për Napolin duke gjetur golin e 13-të në vitin e parë në Serie A.
Fraksioni i dytë nisi ashtu siç u mbyll, me asistin e Rrahmanit që u shfrytëzua mirë nga Lukaku për golin e dytë në minutën e 51-të. Minutat kalonin dhe Napoli kontrolloi lojën për të bërë që tifozët të digjnin gjithë arsenalin e flakadanëve brenda dhe jashtë stadiumit, madje në një moment u duk se Vezuvi ‘u zgjua’. Rezultati mund të ishte më i thellë në favor të vendave nëse një super Alen Sherri nuk do ishte në ditën e tij më të mirë për miqtë.
Me tri pikët e fundit për këtë sezon, Napoli siguron kështu trofeun e katërt të Serie A në histori duke ulur nga froni Interin. Më herët Napoli është shpallur kampion edhe në sezonet 1986-87, 1989-90 dhe 2022-23.
AMIR RRAHMANI - Për kapitenin e Kosovës, shqiptarin Amir Rrahmani ky është titulli i dytë kampion në Serie A pasi ka qenë pjesë e ekipit edhe dy sezone më parë.
ANTONIO CONTE - Trajneri që riktheu energjinë dhe besimin në grup ia del që të fitojë trofeun e pestë në Serie A nga stoli, pasi më herët e ka bërë këtë me Juventusin (nga 2011-2014) dhe me Interin në sezonin 2020-21. Kësisoj Conte fiton Serie A me tre skuadra të ndryshme si trajner
Serie A, raundi i 38-të (i fundit):
E premte, 23 maj 2025 - 20:45
Como 0-2 Inter (de Vrij 20’, Correa 51’)
Napoli 2-0 Cagliari (McTominay 42’, Lukaku 51’)
Renditja:
Komente
