Kombëtarja kuqezi e drejtuar nga Sylvinho luan sot në 20:45 në Varshavë me Poloninë, me duelin që vlen për raundin e dytë kualifikues të Euro 2024 që zhvillohet në Gjermani. Në transfertën polake, që është e para për kuqezinjtë këtë edicion (për shkak se grupi E ka 5 skuadra), nuk do mungojnë tifozët kuqezi.
Nga grupimi TKZ (Tifozat Kuq e Zi) dhe ultras të tjerë nga vende të ndryshme të Europës, pritet mbështetje për djemtë e Sylvinhos në Varshavë. Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar se në bisedime me kolegët polakë, janë 700 bileta në sektorin ultras.
Veç tyre, pritet që shumë shqiptarë të kenë siguruar bileta të tjera në sektorët e ndryshëm të stadiumit dhe numri i tyre pritet të jetë më i madh në mbështetje të Kombëtares. Në videon më poshtë janë disa nga tifozët e Kombëtares që kanë udhëtuar nga Tirana me autobus për në Varshavë.