Në stadiumin "Adush Muça" në Ballsh, Bylisi humbi 0-2 me Laçin për javën e 31-të në Superligën shqiptare të futbollit. Miqtë e Stavri Nicës ishin më kërkues, duke gjetur golin qysh në minutën e 31-të me Stiven Bibo. 19-vjeçari që kishte pak minuta në këmbë këtë sezon, la shënjën e tij në këtë duel, duke i dhënë një mesazh stafit teknik. Pjesa e dytë ishte me ritëm, teksa Bylis kërkoi me ngulm golin e barazimit. Vendasit e Naci Shensojit dolën të gjithë në sulm, teksa lanë hapësira pas. Pikërisht në minutën e 90+1 kurbinasit përfituan nga një kundërsulm, me Babtunden që gjeti golin e dytë. Me këtë fitore, Laçi shkon në kuotën e 43 pikëve për vendin e katërt dhe momentalisht është me pikë të plota me Egnatian e zonës evropiane. Me 33 pikë, Bylis vijon të mbetet në vendin e nëntë (të parafundit).
Lajmi kryesor:
GOLAT/ Partizani i bën 'gjëmën' Erzenit, të kuqtë fitojnë në transfertë! Laçi mund Bylisin dhe sheh nga Europa
S.Dh/ReportTv.al