ZURICH - Zvicra dhe Serbia barazuan të premten 1-1 në Ligën e Kombeve, në sfidën e zhvilluar në stadiumin e Zurichut. Në këtë duel i pranishëm ishte edhe kreu i FIFA-s, Gianni Infantino.
Pikërisht nën sytë e tij dhe mes Evropës, huliganët e Serbisë edhe njëherë nuk ngurruan që të shfaqnin banera provokues, me territorin e Kosovës të veshur me ngjyrat serbe.
Diçka e tillë vijoi për gjithë ndeshjen dhe nga FIFA e UEFA nuk u mor asnjë masë për të hequr këto simbole provokuese, aq më tepër që me Zvicrën luajnë disa shqiptarë.
Ka qenë pikërisht kapiteni i Zvicrës, shqiptari Granit Xhaka që gjatë ndeshjes nuk i ka mbajtur nervat dhe është përleshur me Milenkovic. Pas ndeshjes Xhaka foli për nivelin e Ligës së Kombeve, duke i krahasuar me ndeshjet miqësore.
"Dua që të jem vërtet i hapur dhe i sinqertë me ju. Kampionati Europian apo Botërori është shumë më ndryshe sesa Liga e Kombeve. Kjo është pak a shumë si një ndeshje miqësore, ky është fakt. Sigurisht që ka rëndësi se ti luan me më të fortit, por është më shumë një mundësi për djemtë e rinjë që të tregojnë veten se kush janë, i kemi dhënë shansin të rinjve", tha Xhaka.
Granit Xhaka, Zvicer - Serbi pic.twitter.com/SzXj6IFedj
— News video (@Newsvideo13) November 16, 2024