Lindja e diellit ka nxjerrë në pah deh dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe rrëshqitja e dherave gjatë pasdites së djeshme në qarkun e Vlorës.
Prej pasdites së djeshme Bajpasi (by pass) që lidh Vlorë – Kaninë – Orikum është i bllokuar për shkak të rënies masive të dherave nga shpatet e malit.
Report Tv sjell pamjet ku duket që shembja e dherave është e madhe dhe bllokoi rrugën në një sipërfaqe të konsiderueshme të saj, i cili u hap vetëm pas orës 14:00 të ditës së sotme.
Ndërtimi i kësaj rruge ishte marrë përsipër nga bashkimi i operatorëve “GENER 2” shpk, e Bashkim Ulajt një nga përfituesit më të famshëm të pasurive publike dhe ndereve politike që nga koha kur Sali Berisha ishte kryeministër dhe “Impresa di Costruzioni Ing. E. Mantovani”.
Qeveria e inaguroi në korrik 2022 By Pass-in e Vlorës, por punimet kishin mbetur ende pa u përfunduar . Një vit pas ceremonisë përuruese rruga u amortizua, i mungon sinjalistika, shtresa e fundit asfaltike, mbrojtja e skarpatave dhe shpateve nga rënia e gurëve, si dhe rehabilitimi mjedisor.
Zvarritja e punimeve përmbyllëse, e degradoi aksin prej 29 km.
Mbrojtja e skarpatave dhe shpateve nga rënia e gurëve ka vijuar të mos jetë prezente edhe tani në 2024, duke sjellë për pasojë dhe shembjen e dherave dhe gurëve në një pjesë të konsiderueshme të rrugës pasditen e djeshme.
Në total, fondet e dhëna nga Bashkimi Europian për këtë projekt llogariten në vlerën e 56.16 milionë eurove, nga të cilat 20.16 milionë janë grant dhe pjesa tjetër kredi nga Banka Europiane e Investimeve dhe BERZH.
Ndërkohë , Bashkim Ulaj, biznesmeni pranë Berishës është dhe ndërtuesi i rrugës me pagesë Thumanë-Kashar, dhe përfituesi i gjithë të ardhurave ditore që merr nga kjo rrugë për dhjetëra vite më pas.