VLORË- Po vijojnë punimet në kantierin e aeroportit të Vlorës. Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga punimet, ndërsa krahas tyre shkruan se puna po ecën me ritme të shpejta me qëllim që aeroporti të hapet vitin e ardhshëm.
Ulja e avionit të parë në aeroportin e Vlorës ishte planifikuar në fundin e vitit 2024, por është shtyrë për në verën e vitit 2025.
“MIRËMËNGJES dhe nga kantieri i punës në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ku po punohet me ritme të shpejta për të qenë gati vitin e ardhshëm, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.
Aeroporti i Vlorës, një investim mbi 100 milionë Euro, pritet që të hapë 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit.
Më 20 prill 2021 u nënshkrua kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe do të jetë i treti aeroport në vend ku fluturimet do të jenë transoqeanike.
Ndërkohë në projektbuxhetin për vitin 2024 planifikohen 51 milionë lekë për ndërtimin e rrugës lidhëse Aeroporti Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) – autostrada Fier-Vlorë.