Dy hapësira publike që ishin zaptuar në Vlorë e Tiranë u janë kthyer qytetarëve. Uniformat blu kanë vijuar me aksionin, duke bërë të mundur lirimin e dy hapësirave në mes të pallateve që ishin zaptuar dhe kthyer në ambient parkimi. Bëhet fjalë për një hapësirë midis pallateve të banimit në lagjen “Rilindja” në Vlorë, që po përdorej si parkim mjetesh në mënyrë të paligjshme. Pas ankesave të banorëve, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë ndërhynë dhe bënë të mundur lirimin e kësaj hapësire.
Një rast i ngjashëm është shënuar edhe në Tiranë, ku në rrugën “Medar Shtylla” ishte zënë një hapësirë e përbashkët pallati dhe ishte shndërruar në vendparkim privat pa asnjë leje. Hapësira u lirua dhe u vu në hetim një 39-vjeçar për veprën penale “Pushtimi i tokës”, ndërsa automjetet e parkuara në mënyrë të kundërligjshme u larguan me karrotrec.
Ndërkohë, edhe në zonën e Golemit u konstatuan dy raste të zënies së hapësirave publike në mënyrë të paligjshme. Policia e Durrësit thotë se 2 persona u vendosën në hetim, pasi kishin zënë nga një hapësirë publike dhe i kishin përshtatur për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme ekonomike, pa leje nga organet kompetente.
Në Vlorë, gjatë 48 orëve të fundit, janë shtuar kontrollet në rrugët kryesore dhe zonat turistike më të frekuentuara si “Muradia”, bulevardi “Ismail Qemali”, Lungomare dhe akse të tjera me fluks të lartë. Janë vendosur qindra masa administrative ndaj drejtuesve të automjeteve që kanë bllokuar trotuaret dhe rrugëkalimet për këmbësorët, ndërsa automjetet që kanë penguar qarkullimin janë larguar me karrotrec.
Policia u bëri thirrje të gjithë drejtuesve që të mos bllokojnë hapësirat publike, pasi tashmë parkimi i dyfishtë nuk do të konsiderohet vetëm kundërvajtje administrative, por vepër penale dhe shkelësit rrezikojnë deri në 3 vite burg.
Lirohet një hapësirë e përbashkët pallati, e kthyer në mënyrë të paligjshme në vendparkim automjetesh, në rrugën “Medar Shtylla”, në Njësinë 5 në Tiranë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Bashkiake dhe të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, ndërhynë në një hapësirë të përbashkët pallati në rrugën “Medar Shtylla”, e cila ishte zënë pa leje dhe ishte kthyer në një vendparkim automjetesh.
Në përfundim të veprimeve për rastin, u procedua penalisht shtetasi A. D., 39 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.Automjetet e parkuara në mënyrë të kundërligjshme u tërhoqën me karrotrec.
Komente
