Kronikë

Zjarri 'pushton' Karaburunin, punonjësit e ADZM 'luftojnë' me mjete rrethanore, 2 orë në këmbë për të pirë ujë! Në Radhimë rrezikohen bizneset e banesat, në flakë dhe Mali i Kuçit

29 Korrik 2021, 08:23| Përditesimi: 30 Korrik 2021, 02:08

  • Share

Vatrat e zjarrit në disa zoan të vendit janë kthyer problematika të mëdha ditët e fundit. Një zjarr i madh sot ka rënë në zonën e Radhimës në Vlorë, ku rrezikohen biznese dhe banesa. Flakëve s'i ka shpëtuar as Mali i Kuçit. Ndërkaq vijon të jetë aktiv zjarri edhe në gadishullin e Karaburunit. Edhe pse punonjësit e zonave te mbrojtura (ADZM) kanë qenë gjatë gjithë natës në terren për fikjen e zjarrit dhe normalizimin e situatës, gjendja vijon të jetë problematike pasi në zonën mbi kishën e Marmiroit në Orikum flakët janë aktivizuar sërish. 

Punonjësit e ADZM, po punojnë me mjete rrethanore, ndërsa në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe 40 ushtarë nga reparti i Poshnjes në Berat dhe Pashalimani.

Ndërkohë terreni i vështirë për të shkuar në mal e bën edhe më të vështirë fikjen e zjarrit. Punonjësve të ADZM  iu desh të bënin 2 orë rrugë në këmbë pasi ngelën pa ujë te pijshëm, duke u detyruar te zbresin nga mali. Deri tani janë djegur më shumë se 80 ha pyje.

Situata paraqitet problematike, pasi flakët e zjarrit të ndihmuara dhe nga era mund t'i afrohen parkut kombëtar të Llogarasë. 

Zjarret kanë shkaktuar deri më tani dëme kolosale në Vlorë, Fier, Lushnjë dhe Kurbin. Të paktën 120 ha kullota dhe pisha të buta janë djegur përgjatë 4 ditëve kur flakët përpinë malin e Dukatit në Vlorë. 

Flakët e zjarrit ka shkrumbuar 7 mije rrënjë ullinj në fshatin Zhejë të Kurbinit, duke shkaktuar një dëm kolosal për fermerët. Brenda muajit korrik janë shënuar 10 vatra zjarri në Bashkinë e Lushnjës, shumica aksidentale, ndërsa në dy raste policia ka ndaluar dy persona për zjarrvënie të qëllimshme.

Për 4 ditë me radhë zjarret në fshatrat Lalar, Kraps dhe Gjorgoz kanë djegur rreth 3 ha me pisha, afro 300 rrënjë ullinj si dhe 500 metra me vreshta. Ndërkohë problem është edhe fakti i mungesës së pajisjeve të duhura për zjarrfikësit për të shuar flakët.

Ora 20:50
Situata problematike në Vlorë, përfshihet në flakë edhe Mali i Kuçit

1627585007_KUC.jpg

Zjarri ka marrë përmasa të mëdha në Vlorë. Pas Karaburunit dhe Rradhimës është përfshirë në flakë edhe Mali i Kuçit.

 

Ora 18:39
Bie zjarr në fshatin Vjosë në Fier, rrezikohen fushat e mbjella me ullinj! Flakët vihen nën kontroll pas 5 orësh

Vazhdojnë zjarret në zonën e Cakranit në Fier. Pas zjarrit në fshatin Kreshpan, një zjarr tjetër ka rënë në fshatin Vjosë.

Për të shuar zjarrin në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Fierit, të ndihmuar gjithashtu edhe nga forcat zjarrfikëse të Patosit. Në fshatin Vjosë është përfshirë nga zjarri një zonë me shkurre dhe me bar, ndërkohë që rrezikohen edhe fushat e mbjella me ullishte.

Ndërkohë jo më shumë se 150 metra larg ndodhet edhe disa shtëpi. Terreni është i vështirë dhe temperaturat e larta vështirësojnë shuarjen e tij.

Pas 5 orësh zjarrfikësit kanë vënë nën kontroll flakët.

Ora 18:03
Zjarr i madh në Radhimë, rrezikohen bizneset dhe banesat! Banorët në 'luftë' me flakët

Një zjarr i madh ka rënë në Radhimë ditën e sotme, ndërsa rrezikohen bizneset dhe banesat aty pranë. Siç shihet dhe nga pamjet janë djegur kodrat e Rradhimës. Banorët vijojnë të luftojnë me flakët për ti vënë nën kontroll. Situata është problematike pasi zjarri favorizohet nga era.

 

Ora 16:55
Era ndihmon në përhapjen e vatrës së zjarrit në Karaburun, digjen më shumë se 80 ha pyje! Zjarrfikësit pritet të ndërhyjnë pasdite

Vijon që të jetë aktiv zjarri në gadishullin e Karaburunit në Vlorë, ku janë djegur më shumë se 80 ha pyje. Edhe pse forcat e Zonave të Mbrojtura dhe forcat e Ushtrisë kanë qenë në terren për gjatë gjithë ditës, izolimi i flakëve ka qenë i pamundur.

Në këto momente forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë, kanë bërë një shkëputje dhe pritet që të ndërhyjnë në orët e vona të pasdites, pasi flakët kanë shkuar deri në tre metra dhe rrezikojnë jetën e tyre.

Vatra e zjarrit rrezikon që të përhapet edhe më shumë për shkak të erës dhe motit të thatë, ndërkohë që zjarri po fiton terren duke rrezikuar seriozisht parkun Kombëtar të Llogarasë. Temperatura në ato zona dhe për më tepër pranë zjarrit shkon 60/70grade.

 

Ora 10:08
Zjarri në gadishullin e Karaburunit, situata kritike, 40 ushtarë nga Berati dhe Pashalimani i shkojnë në ndihmë zjarrfikësve

 

Zjarri në gadishullin e Karaburinit vijon të jetë aktiv, ndërsa situata duket mjaft kritike. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse, mëngjesin e sotëm kanë shkuar edhe 40 ushtarë nga reparti i Poshnjes në Berat dhe Pashalimani, që po punojnë për shuarjen e flakëve. Lajmi u bë me dije nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili thotë po ashtu se trupat e batalionit të III të këmbësorisë prej disa ditësh i janë bashkuar përpjekjeve të strukturave lokale për shuarjen e zjarrit në pyllin e Kreshpanit në Cakran të Fierit.

"Që prej orëve të para të ditës trupat e batalionit të Poshnjes dhe detarët e Pashalimanit janë angazhuar për fikjen e zjarrit në zonën e Karaburunit, duke sfiduar terrenin dhe temperaturat ekstreme. Gjithashtu, trupat e batalionit të III të këmbësorisë prej disa ditësh i janë bashkuar përpjekjeve të strukturave lokale për shuarjen e zjarrit në pyllin e Kreshpanit në Cakran të Fierit", thotë Peleshi.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?