Situata nga zjarret në vend vijon të jetë problematike. Ministria e Mbrojtjes bënë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat është bërë i mundur izolimi i 19 vatrave.
S|ipas ministrisë vijojnë që të jenë aktive vatrat në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qëndror dhe subjekte private.
Po ashtu, aktive vijon të jetë edhe vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë, i cili ditën e sotme vijon me intesitet të ulët, ndërsa gjatë mbrëmjes së kaluar është bërë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në lagjet Shqut dhe Ish Kampi të këtij fshati.
Po në këtë bashki zjarri në fshatin Torovicë është drejt shuarjes përfundimtare, ku vijojnë operacionin strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA.
"Është aktive vatra e zjarrit në fshatin Kameras, Bashkia Durrës për të cilin janë angazhuar ditën e djeshme kapacitetet e qarkut Durrës dhe Tiranë duke bërë të mundur shmangien e rrezikut për kalimin e zjarrit në sipërfaqe me pyll dhe ullinj shekullore. Sot janë angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe forca vullnetare. Zjarri në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë për të cilin ditën e djeshme kanë punuar Forcat e Armatosura, strukturat vendore të mbështetura nga një Helikopter I KFOR. Vijojnë edhe ditën e sotme operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit dhe shuarjen e tij", njoftoi ministria.
Situata në bashkitë e qarqeve të tjera të vendit ditën e sotme paraqitet relativisht e qetë.