Të gjithë shtretërit në pediatrinë e Spitalit të Vlorës janë të zënë nga numri i lartë i vogëlushëve të prekur nga virozat dhe që kanë pasur komplikacionet.
“10 ditëshin e fundit të janarit numri i vizitave në pavionin tonë ka ardhur duke u shtuar. Në 48 orë e fundit numri i vizitave ka qenë rreth 80, përfshirë këtu edhe shtrimet që varion nga 20-25. Sot kapacitet total ka qenë i gjithë i zënë”, shprehet Rina Llanaj, pediatre.
Sipas krye-pediatres Rina Llanaj më të vegjlit nga 1 deri 6 muaj janë më të rrezikuarit.
“Më e prekur dhe më e rrezikuar është mosha nën 6 muaj. Kemi fëmijë që shtrohen nga 1 muaj deri në 6 muaj në reanimacion për shkak të uljes së oksigjenit, paraqiten me bronkolit akut që shoqërohet e ngushtim të rrugëve të vogla të ajrit”, vijon ajo.
Fëmijët e vegjël nën 2 vjeç kanë bronkiolite, bronkopenumoni, pneumoni ata pak më të rriturit paraqesin të vjella, çrregullime të tretjes etj.
Por, fluksi mund të menaxhohet thotë mjekja nëse prindërit nuk vijnë direkt nga shtëpia në spital, por të drejtohen tek mjeku i familjes apo pediatri i fëmijës.
“Duhet një filtër nga mjeku i familjes. Mirë është që pjesa me e madhe prindërve të paktën 3 ditët e para të marrin këshillat e nevojshme për menaxhimin e temperaturës me antiinflamatorë dhe nëse parametrat jetësore të shoqëruara me kollë, vështirësi në frymëmarrje mund të paraqiten në pavionin tonë. Ne kemi një fluks të tillë se një pjesë e tyre vijnë direkt nga shtëpia këtu”, thekson pediatrja.
Të ruhet qetësia nga prindërit këshillon mjekja. Paracetamol dhe ibuprophen janë kryesorët për 3 ditët e para me temperaturë shoqëruar me lëngje, supa dhe hidratim për të vegjlit, por në rast komplikacioni me frymëmarrjen apo shenja të shtuara prindërit të drejtohen tek mjeku.