Fluks i të shtruarve për shkak të virozave të stinës është shënuar në ambientet e Pediatrisë e spitalit rajonal të Vlorës , ku numri I fëmijëve që paraqiten për t’u vizituar çdo ditë është mbi 100.
Teksa pohon situatën mjekja pediatër Aida Koka thotë se temperaturat e larta dhe ndotja e ajrit janë ndër faktorët kryesorë që shkaktojnë virozat e stinës ku më të prekurit janë të vegjlit.
“Janë kryesisht virozat e stinës. Fëmijët paraqiten me bark, të vjella dhe me temperaturë. Numri i vizitave varion nga 70 deri në 100 në ditë, sidomos në fundjavë ky numër mund të jetë pak më i lartë dhe shtrimet variojnë 30-40 shtrime në ditë”, tha mjekia.
Reparti i Pediatrisë po punon me kapacitete të plota, ku veç fëmijëve nga Vlora, aty paraqiten edhe fëmijë të pushuesve që ndodhen në qytetin bregdetar, por dhe të turistëve të huaj.
Sipas Mjekes pediatre situata është nën kontroll ndërsa këshillon prindërit të mbajnë higjienën dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje tek fëmijët.
“Janë më të rrezikuar fëmijët nën moshë 2 dhe 1 vjeç. Situata për momentin është nën kontroll. Kujdesi duhet të jetë për higjienën në veçanti të fëmijëve të vegjël sidomos, kur janë në lokale, nëpër plazhe. Si dhe kujdesi për ushqimet qoftë në shtëpi dhe jashtë, për t’u ushqyer me gjera të çastit”, shtoi Koka.
Një shtim të numrit të vizitave ka patur edhe në Urgjencën e QSUT, në Tiranë ku grupmoshat më të vogla janë ato që preken më shumë nga virozat stinore po nuk përjashtohen as moshat e tjera.