TIRANË- Stina e vjeshtës vec shirave ka sjellë dhe virozat ku më të prekur janë fëmijët. Rrufa, kolla e infeksionet e veshit janë disa nga simptomat që hasen më së shumti në këtë periudhë tek fëmijët e prekur, që i përkasin grupmoshës nga 2-5 vjeç.
Pediatrja Besiana Hoxha, tregon për Report Tv se vetëm në muajin shtator janë paraqitur për mjekim rreth 700 fëmijë.
“Ka një numër deri diku goxha të lartë vizitash, për shembull periudha e shtatorit ka qenë afërsishtë rreth 700 pacientë të regjistruar, të diagnostikuar dhe të trajtuar”-u shpreh pediatria Hoxha
Ndër masat që duhen marrë për të shmangur virozat që tashmë janë përhapur, pediatrja këshillon prindërit që të evitojnë frekuentimin e vendeve të mbyllura.
“Duhet të shikojmë kryesisht pjesën e ushqimit, pjesën e e frekuentimit të ambienteve jo të mbyllura, duhet të evitojnë kryesisht ambientet e mbyllura si për shembull kënde lojrash të mbyllura sepse janë tipike vatra ku mund të kemi shpërndarjen e viruseve, dhe sa më shumë lëngje dhe ushqime shtëpie”-tha Hoxha
Gjatë muajit tetor nis dhe vaksina e gripit për fëmijë, që sipas pediatres Nurije Hamzollari ndihmon më së shumti fëmijët me sëmundje kronike pasi iu rrit imunitetin.
“Në këtë stinë mendohet që të bëhet, kush dëshiron ose fëmijët zakonishtë që janë me sëmundje kronike, mund të bëjnë dhe vaksinën e gripit, por që është fakultative nuk është e detyrueshme. Për fëmijët që janë me sëmundje kronike rrit imunitetin, përballojnë virozën më mirë dhe nuk jep komplikacione të mundëshme sic mund të japi në një rast me sëmundje kronike të pavaksinuar”-tha pediatria Hamzollari
Fëmijët janë ata që preken më së shumti nga virozat e stinës, ndaj dhe në muajt e vjeshtës dhe të dimri, kujdesi ndaj tyre duhet të jetë më i shtuar.