TIRANË- Një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, ku jetojnë më shumë se 1000 lloje kafshësh dhe bimësh, është shpallur park kombëtar nga qeveria shqiptare, duke e bërë Vjosën të parin e këtij lloji në kontinent.
Lumi Vjosa rrjedh 168 milje (270 km) nga malet e Pindit në Greqi përmes kanioneve të ngushta, fushave dhe pyjeve në Shqipëri deri në bregdetin e Adriatikut. I lirë nga digat apo pengesat e tjera artificiale, ai është i pasur me specie ujore dhe numëron kafshë të egra të panumërta, duke përfshirë vidrën, shkabën e rrezikuar egjiptiane dhe rrëqebullin ballkanik të rrezikuar në mënyrë kritike, nga të cilët vetëm 15 vlerësohet të mbeten në Shqipëri .
Prej vitesh, ekosistemi i brishtë i Vjosës është kërcënuar, në një moment ishin planifikuar rreth 45 hidrocentrale në të gjithë rajonin.
Të mërkurën, pas një fushate gati dhjetëvjeçare nga OJQ-të mjedisore, Vjosa u shpall parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë . Ambientalistët e përshkruan atë si një vendim historik që e ka vendosur kombin e vogël ballkanik në ballë të mbrojtjes së lumenjve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpalli pakr kombëtar në një ceremoni në kalanë e Tepelenës me pamje nga lumi. Ai e përshkroi krijimin e parkut kombëtar si një “moment vërtet historik” për natyrën, si dhe zhvillimin social dhe ekonomik.
“Sot ne mbrojmë njëherë e përgjithmonë të vetmin lumë të egër në Evropë. Të mbrosh një zonë nuk do të thotë ta mbash atë të izoluar nga ekonomia”, tha Rama.
Ai tha se parqet kombëtare tërheqin 20% më shumë turistë krahasuar me zonat e pambrojtura.
Mirela Kumbaro Furxhi, ministrja e turizmit dhe mjedisit të Shqipërisë, tha se krijimi i parkut ishte pjesë e evolucionit të vendit dhe emancipimit të vazhdueshëm tre dekada pas sundimit komunist.
“Vjosa është një simbol i historisë njerëzore dhe gjithashtu një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së vendit tonë”, tha ajo. “Ndoshta Shqipëria nuk ka fuqinë për të ndryshuar botën, por mund të krijojë modele të suksesshme të mbrojtjes së biodiversitetit dhe pasurive natyrore dhe ne jemi krenarë të shpallim krijimin e këtij parku të parë kombëtar në një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë”.
Vendi, i cili tërhoqi 7.5 milionë vizitorë vitin e kaluar , më shumë se dyfishi i popullsisë prej 2.8 milionë banorësh, shpreson të rigjenerojë të ardhura në fshatrat në rajonin e Vjosës nëpërmjet ekoturizmit.
Një bashkëpunim midis qeverisë shqiptare, ekspertëve ndërkombëtarë, OJQ-ve nga fushata Save the Blue Heart of Europe për mbrojtjen e lumenjve të Ballkanit, Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) dhe Patagonia, synon të sigurojë mbrojtjen e Vjosës dhe ekosistemet unike të saj. Atij i është dhënë statusi i parkut të kategorisë II të IUCN , një nivel i lartë mbrojtjeje. Kategorizimi mbulon “proceset ekologjike në shkallë të gjerë”, speciet dhe ekosistemet, thelbësore për të garantuar ndalimin e ngritjes së digave dhe nxjerrjes së zhavorrit. Ai pritet të jetë funksional në vitin 2024.
Boris Erg, drejtor i zyrës evropiane në IUCN, i bëri lavdërime qeverisë shqiptare për lidershipin dhe ambicien e saj.
“Sot shënon një moment historik për njerëzit dhe biodiversitetin e Shqipërisë,” tha ai. “Ne ftojmë qeveritë e tjera në rajon dhe më gjerë të tregojnë ambicie të ngjashme dhe të ndihmojnë në arritjen e qëllimit jetik për mbrojtjen e 30% të planetit deri në vitin 2030."
Parku do të përfshijë 118 milje të Vjosës në Shqipëri, tre degët kryesore dhe disa tokë, duke përfshirë zonat në rrezik përmbytjeje. Faza II do të shtojë degë të tjera. Ndryshe nga Zonat e Mbrojtura të Shkretëtirës së IUCN , të cilat kufizojnë numrin e vizitorëve, ai do të lejojë turizmin rekreativ dhe disa aktivitete të tjera si peshkimi lokal, veçanërisht për 60,000 banorë.
Qeveria shqiptare po fillon një proces të përbashkët me autoritetet greke për krijimin e parkut ndërkufitar Aoos-Vjosa, duke synuar mbrojtjen e të gjithë lumit në të dy vendet, të cilët ranë dakord në janar për të nënshkruar një memorandum mirëkuptimi që përcakton veprimet e ardhshme.
Ulrich Eichelmann, një konservator dhe themelues i Riverëatch dhe pjesë e fushatës Save the Blue Heart of Europe, tha: "Shumica e njerëzve në Evropën Qendrore nuk kanë parë kurrë një lumë të egër, të gjallë, të lirë nga ndikimet e ndërhyrjes njerëzore, që nuk është devijuar ose të digave të ndërtuara me argjinatura dhe ku biodiversiteti është i ulët. Por këtu, ju keni një lumë të egër, plot kompleksitet dhe pa ndërhyrje.”
Eichelmann tha se shpresonte se do të krijonte një plan për lumenjtë e egër diku tjetër.
Ryan Gellert, CEO i Patagonisë, tha se bashkëpunimi provoi fuqinë e veprimit kolektiv. "Shpresojmë se do të frymëzojë të tjerët që të mblidhen për të mbrojtur vendet e egra që kemi lënë, në një mënyrë kuptimplotë," tha ai, duke shtuar se parku ishte prova se "shkatërrimi i natyrës nuk duhej të ishte çmimi i përparimit".
Kompania ka siguruar 4.6 milion dollarë (3.8 milion £) për të mbështetur parkun kombëtar dhe për të mbrojtur lumenjtë e egër në të gjithë Ballkanin, nëpërmjet Holdfast Collective jofitimprurëse, e krijuar në vitin 2022 kur shpalli Tokën “aksionerin e saj të vetëm”.
Fushata për mbrojtjen e Vjosës mori një shtysë kur Leonardo DiCaprio postoi në lidhje me të në Instagram në vitin 2019, duke thënë: "Ky është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës: por për sa kohë?"
OJQ-të thanë se kishte ende punë për të bërë për të mbrojtur pjesët e mbetura të pambrojtura të lumit. Rama tha se një aeroport i planifikuar në deltën e lumit do të vazhdojë, por pa rreziqe për natyrën./Përkthyer nga The Guardian
Na mbushet shpirtin me kete lajm.. Mjaft pame si shkaterrojet ky vend i bukur..
PërgjigjuVJOSA PARK - DRINI I ZI – ÇARK... KOMBËTAR Fejton Dhe një zë që thërret: “Kryeministri që do të realizojë ndërtimin e Skavicës do të mbetet në historinë e Shqipërisë” Edi Rama e mbyt Dibrën pa ju dridhë dora. Sigurisht në se në Dibër nuk ka mbet asnjë dibran. Vjosa, bëhet e ditur sot, se u shpall Park Kombëtar, lumë që mbrohet jo vetëm nga shteti por edhe nga bota. Si dashamirës i natyrës në çdo pëllëmbë të hapësirës mbarëshqiptare u përcjell respektin tim përmetarëve, tepelenasve, fierakëve, vlonjatëve..., për betejën dhe fitoren e tyre. Ata arritën që të shkulin nga themelet e ferro betonta, që tash më se dy dekada herë ngrihet një metër e herë ulen dy metra, hidrocentralin e Kalivaçit, dështimin katastrofë të kryeministrave të këtyre tre dekadave. Dy dekada betejë publike, me zëra ndërkombëtarë, me vikama, sa buçima e presidentit të republikës kapi “qiellin e shtatë” Sikur të ndodhte kështu edhe me Drinin e Zi, me atë që pas mbytjes nga dy liqene të anën tjetër të kufirit shqiptaro-shqiptar, do të kishte edhe Dibra lumin e vet të egër. Dhe jo vetëm Dibra por edhe Shqipëria, edhe Ballkani, edhe Evropa. Në Skavicë, fshat i Kukësit, në atë ngushticë që duket sikur takohen majat e maleve, ku Drini i Zi e ndjen veten më ngushtë se kurrë, një grup dibranësh që nga hurdha e re mbi Drin u mbytet e kaluara, e ardhmja, historia, gjeografia, pasuria, varret e trimave që e mbrojtën si në asnjë trevë tjetër në beteja epike, Dibrën, duke u thënë ndal turqve osmanlinj me kordhëtarin e madh Gjergjin e Gjon Dibranit në krye dhe duke tharë përgjithnjë ëndrrën serbe për të dalë në Drin e për të marshuar për ta prerë për brezi Shqipërinë me krismën-top të Eles Isufit... shkuan të mësojnë ecurinë e punimeve për ndërtimin e digës së Skavicës, digë e marrë përsipër nga një kompani amerikane private, me bekim zyrtar shtetëror të ministres Balluku e cila vuri në plan të parë mbrojtjen e Shkodrës nga përmbytja dhe bekim diplomatik të ambasadores së SHBA në Tiranë Juri Kim. Grupin nuk e lanë të afrohej atje ku punohej, atje ku gërmohej, atje ku Drini devijohej. Sekret i madh në natyrë të virgjër... Ata, një nga një e thanë fjalën, argumentin dhe protestën e tyre në mbrojtje të vatrave familjare e të vatrës së madhe - Dibrës mbarë. I përcolli me zë e figurë televizioni privat Tv. Dibra News i Islam Shehut. Kaq. Televizionet e portalet kombëtare shqiptare që nuk lënë lajm divorcesh pa përcjellë me zë, figurë e studio analistësh, nuk dhanë asgjë. Po përgatitet mbytja e një treve të lashtë, asgjësimi i saj përgjithmonë dhe media shqiptar hesht. Asnjë zë nuk qarkullon se ku do të shkojnë ato dhjetëra mijëra dibranë që mbeten pa plëng e pa shtëpi. Askush nuk flet se sa do të shpërblehen pronarët për çdo metër katrorë të mbytur, për çdo shtëpi të zhytur. Askush. As ministria e financave, as ministria e bujqësisë, as kryeministri, as presidenti, as kryeparlamentarja, as bashkia. ASKUSH. Ndërkohë që po i vija pikën e fundit, një zë kalon Atlantikun e ndalet e nja beh në “Dritarja Xhunga” e vikat: “Kryeministri që do të realizojë ndërtimin e Skavicës do të mbetet në historinë e Shqipërisë”. Dhe e kishte seriozisht me argumentin se si asistent i tij këtë e ka dëgjuar ta thotë “profesor Petrit Radovicka” (!). Dhe menjëherë i vjen në ndihmë një komentator pa identitet “raul” me një thagmë që se mban asnjë kandar... “Kryeministri legjendar i Shqipërisë për 27 vjet Mehmet Shehu kishte në tavolinë planin dhe projektin e Skavicës me firmën e prof. Dr. Petrit Radovicka, legjenda dhe krenaria e hidroenergjetikes shqiptare dhe e Universitetit Politeknik të Tiranës. Po të mos ishte vrarë Mehmet Shehu sot Shqipëria do të krenohej me veprën energjetike më të madhe në Ballkan (!), Skavicën, dhe Shqipëria do të ishte e garantuar deri në vitin 2100 me energji elektrike, bile edhe Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe ndofta edhe Greqia (!)”. “Skavica nuk do të bëhet, komenton “DREJTESIA”. Nuk shuhet Dibra e dibranët, pa le se ç’thonë ata që se njohin historinë e Dibrës. E vërtetë është se kryeministri që do të realizojë Skavicën do të mbahet mend në histori, por si kryeministër jo njerëzor. Nuk rrihet Dibra me kamxhik zoti kryeministër. Dibra i ka rrënjët thellë në histori dhe do të mbetet historikisht Dibra heroike. Nuk zhduket për kollaj ore jo.” Mehmet Shehu njihet në Dibër si krimineli më i madh i saj, njeriu që shkrumboi deri edhe pulat në kotec në Fushë Alie e që tërë kohën nga gjuha e tij vetëm urrejtje për Dibrën dilte. Ai e mbyste Dibrën me dëshirën dhe egërsinë që e karakterizonte. Sigurisht po ta kishte në dorë. Edi Rama në këto dekada në pushtet ka treguar se din të shkulë, din të mbysë. Ai e mbyt Dibrën pa ju dridhë dora. Sigurisht në se në Dibër nuk ka mbet asnjë dibran. Abdurahim Ashiku 27 janar 2022
PërgjigjuMoment historik qe Vjosa shpallet park kombetar ,ku europa dhe sidomos Leonardo di Caprio kane dhene nje kontribut shume te madh.Tani qe do Vjosa do mbetet i eger , mungon vetem Tarzani dhe cita
PërgjigjuPo te dukemi qenie te buta ne? Per te arritur Tarzanin na duhen edhe ca dekada or teeeejjjjj