TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar shpronësimin, për interes publik, të një pasurie private në qytetin e Vlorës, e cila preket nga realizimi i “Qendrës multifunksionale në Luginën e Vjosës”. Shpronësimi i sipërfaqes pyjore bëhet në favor të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Vlera e përgjithshme e kompensimit për pronarin e pasurisë së paluajtshme është caktuar në shumën prej 1.079.595 lekësh, ndërsa shpenzimet procedurale të shpronësimit arrijnë në 70.000 lekë, të cilat do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Sipas vendimit, fondi për kompensimin financiar do të përballohet nga buxheti i shtetit, përmes llogarisë “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.
Procesi i shpronësimit nis menjëherë pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare dhe pritet të përfundojë brenda tre muajve nga hyrja e tij në fuqi. Pronari do të kompensohet pas paraqitjes së dokumentacionit të plotë pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, e cila do të ndjekë të gjitha procedurat për likuidimin.
Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, përmes drejtorisë vendore në Vlorë, do të nisë brenda 30 ditëve procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale.
Qendra multifunksionale që do të ndërtohet në këtë zonë do të promovojë vlerat natyrore dhe kulturore që zotëron territori i lumit të fundit të egër në Evropë. Kompania fituese për ngritjen e qendrës multifunksionale është shpallur studioja projektuese “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”.
Projekti që do të vihet në jetë ndërthur investimet që do të bëhen me natyrë, duke e shoqëruar rrugëtimin me informacione, stacione ndalimi për turistët apo edhe muzeun e informacionit, që jep më shumë detaje mbi këtë pasuri kombëtare.
VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “QENDRA MULTIFUNKSIONALE NË LUGINËN E VJOSËS, STACIONI I INFORMIMIT VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Qendra multifunksionale në luginën e Vjosës, stacioni i informimit Vlorë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “pyll”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 079 595 (një milion e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 079 595 (një milion e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurisë të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Komente
