I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia, Altin Joka. Në këtë intervistë, ai ndau me publikun një sërë këshillash të vlefshme mbi një nga frutat më të dashur të verës: fikun.
Sipas Jokës, fiku është një thesar i vërtetë ushqyes, me një ndikim shumë të dobishëm në shëndetin tonë të përgjithshëm.
“Fiku nuk duhet të ndahet nga askush gjatë gjithë sezonit veror,” – theksoi ai në fillim të bisedës, duke shtuar se ky frut është unik në llojin e vet. Ai është i vetmi frut që përmban lule brenda vetes, një veçori botanike shumë e rrallë.
Në lashtësi, fiku është quajtur “fruti i mençurisë”, dhe me të drejtë, pasi përveç vlerave simbolike, ai ka edhe vlera të jashtëzakonshme ushqyese. Altini tregoi se fiku ka një ekuilibër të shkëlqyer mes fruktozës dhe sheqerit natyral, që e bën të lehtë për organizmin dhe të tretshëm.
“Ai ndihmon në uljen e kolesterolit të keq, përmirëson gjumin, rrit përqendrimin dhe kujtesën, ndikon pozitivisht në disa forma të kancerit, rregullon tensionin e gjakut, ndihmon në trajtimin e anemisë dhe sëmundjeve të mëlçisë, si dhe ka efekte shëruese mbi lëkurën, veçanërisht në rastet me psoriazë. Gjithashtu, është shumë efektiv në eliminimin e bakterit Helicobacter pylori që ndikon në problemet gastrike dhe ulçerat”.
Sa i përket konsumit të përditshëm, Joka rekomandon që personat me diabet të kufizohen në 1-2 fiq në ditë, ndërsa ata që nuk kanë probleme shëndetësore mund të konsumojnë lirisht 4-5 kokrra në ditë, kjo sigurisht në varësi dhe të llojit të fikut.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e gjetheve të fikut, të cilat janë shumë të dobishme për menaxhimin e diabetit, pasi ndihmojnë në përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës. Këto gjethe mund të përdoren si çaj ose të përzihen në mënyrë natyrale me përbërës të tjerë për të ndihmuar edhe në problemet e mitrës tek gratë.
“Më i mirë është gjithmonë fiku i freskët sesa ai i thatë” – sqaroi Altini, duke shtuar se fiku i thatë ka përqendrim më të lartë sheqeri dhe duhet konsumuar me më shumë kujdes, sidomos nga personat me diabet.
Në fund të intervistës, ai bëri thirrje që të përfshijmë këtë frut të pasur në dietën tonë verore gjatë sezonit që ai ka, pasi jo vetëm që është i shijshëm, por edhe një aleat i fuqishëm për shëndetin e trupit dhe sistemit tonë imunitar.
Komente
