Sport

Vllaznia udhëton në fushën e kryesuesve, Brdaric: Egnatia ndër ekipet më të mira, duam tri pikët

26 Mars, 14:27| Përditesimi: 26 Mars, 16:23

  • Share

SHKODËR - Egnatia dhe Vllaznia përmbyllin raundin e 31-të në Superligë, me përballjen që luhet të enjte në orën 20:00 në "Egnatia Arena" të Rrogozhinës. Dy skuadrat janë pretendente për titullin kampion dhe duket se nuk do e llogarisin zonën "Final 4".

Nga "Loro Boriçi", trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric vlerësoi rivalët dhe tha se jo më kot Egnatia është në krye të kampionatit, por ata kërkojnë të dalin nga transferta me tri pikë.

“Ndeshja - Me Egnatian është një sfidë e madhe, një sfidë e fortë. Ata janë ekipi kampion dhe janë një ndër ekipet më të mira në kampionatin shqiptar. Ata kanë edhe një trajner me eksperiencë si Tetova, që ka bërë mirë në punën e tij. Mezi po presim të përballemi kundër tyre në mënyrën tonë më të mirë.

E dimë që është një sfidë shumë e rëndësishme dhe duhet të jemi të fokusuar 100%, në mënyrë që të jemi gati për çdo gjë. Normalisht që duhet të mendojmë edhe për “Final 4”, por ka ende edhe shumë ndeshje dhe futbollistët duhet të kapin ritmin e tyre më të mirë këto ndeshje që kanë mbetur", tha trajneri.

Brdariç theksoi se Vllaznia do të shkojë në Rrogozhinë për tri pikët, por shtoi se çdo gjë është e mundur në këtë ndeshje.

“Objektivi ynë është që të marrim tre pikët dhe do të bëjmë më të mirën për t’i arritur ato, por siç e dini futbollistët duhet të vrapojnë dhe të jenë të vëmendshëm për gjatë gjithë 90 minutave për të arritur tri pikëshin. Për këtë gjë shkojmë në Rrogozhinë.

Parashikimi - Jemi optimistë, sepse kemi pasur një sezon në përgjithësi pozitiv me Egnatian. Kemi bërë shumë mbledhje dhe analiza për këtë ndeshje. Ekipi është i përqëndruar dhe ne të gjithë, duke filluar nga unë, kemi uri për fitore ndaj Egnatias.

A do isha i kënaqur me barazimin? Ne shkojmë gjithmonë për maksimumin. Do ta përballojmë Egnatian në një mënyrë sa më profesionale dhe çdo gjë mund të jetë e mundur”, tha kroato-gjermani i Vllaznisë.

Pas javës së 30-të, Egnatia e 54 pikë mban vendin e parë, ndërsa Vllaznia me 50 pikë ndodhet në pozitën e tretë.

S.Dh/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?