VIDEOLAJM/ Vlonjati sfidon acarin dhe zhytet në det: Kam 30 vite që e bëj! Përballja me delfinët dhe dëshira për të pasur një fermë

25 Janar 2022, 11:53| Përditesimi: 25 Janar 2022, 16:17

  • Share

Ulja ekstreme e temperaturave, nuk e ka penguar 49-vjeçarin Arben Abazaj që të ushtrojë pasionin e tij, duke u zhytur në ujërat e ftohtë të Jonit.

“I ftohtë, ishte vërtet i ftohtë por edhe shumë i mirë!”, thotë Abazaj, sapo del nga uji.

Në këtë mënyrë aspak të zakontë, Arben Abazaj e sfidon të ftohtin për vitesh, madje edhe në temperatura edhe më të ulëta.

“Jam futur edhe në ditë më të ftohta se sot, më pëlqen kjo gjë, mua më bëhet shëndet”, shprehet ai për gazetarin Armand Xhelili.

I sapodalë nga uji dhe pa hedhur qoftë edhe një peshqir krahëve, Arbeni rrëfen se nga larja në ujë të akullt, ka parë vetëm efekte pozitive.

“Asnjëherë nuk më ka dhënë ndonjë pasojë të keqe, gjithmonë për mirë më ka dalë", thotë 49-vjeçari.

Të gjithë atyre që i druhen larjes në det këto ditë acari, Abazaj u drejton një këshillë.

“Po të dish si të futesh, si të dalësh, sa të qëndrosh në ujë është vetëm e dobishme. Nëse nuk i di ca parametra të organizmat tënd, apo të ujit ku futesh, mirë është mos ta provosh, mos të bësh aventurë”, vijon Abazaj.

Por, ka një sekret:

“Trupi do përgatitur disi para se të futesh në këtë ujë të ftohtë, pasi uji është realisht i ftohtë trupi do përgatitur njëherë”, sugjeron për Report Tv 49-vjeçari vlonjat.

Për Report Tv, Arben Abazaj thotë se gjatë larjes në ujë të ftohtë, nuk kanë munguar as momentet e vështira.

“Kam vajtur edhe në Sazan, 6 orë e 40 minuta, dhe në Karaburun 4.25 minuta. Ca pleq ku kisha lënë rrobat kishin lajmëruar se është njëri që ka humbur. Unë kisha 4 orë në fakt që bëja not për qejfin tim”, shprehet Abazaj.

Pasioni tjetër i 49-vjeçarit është ferma dhe poezia…

“Unë po mundohem të ngre një fermë me kafshë, me pula, pata lepuj, dhen e dhi, më pëlqen bota e gjallë dhe si të thuash aty kam gjetur vetën time. Unë jam dashamirës i poezisë po nuk është se kam shkruar, por vargëzoj”, rrëfen Arben Abazaj.

49-vjeçari thotë se do të vazhdojë t’i sfidojë temperaturat e ulëta, derisa shëndeti t’ia lejojë. Dhe më pas, gjithçka do t’ia dedikojë pasionin për fermën, poezisë dhe familjes.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?