Vlora Marina

Vlora Marina, porti turistik që do ta kthejë Vlorën në një qytet me ‘verë’ gjatë gjithë vitit

25 Qershor 2022, 10:24| Përditesimi: 25 Qershor 2022, 13:52

  • Share

Jo vetëm gjatë stinës së verës por qytetin e Vlorës mund ta shijoni edhe gjatë stinës së dimrit. Vlora Marina, porti i ri turistik pritet ta rankojë atë në listën e qyteteve me turizëm gjatë gjithë vitit. Sipërmarrja më e re sfiduese në vetvete, premton një marinë të madhe moderne, ku do të ankorohen mjetet lundruese turistike, nga jahtet dhe megajahte. Sipas Ervin Bacaj i cili menaxhon këtë projekt, standardet do të jenë ndërkombëtare, por risi e mirëfilltë do të jenë shërbimet e larmishme që do të ofrohen në ambientet e Marinës pavarësisht stinëve. Në Vlora Marina do të ketë edhe hapësira për aktivitete kulturore dhe artistike në çdo periudhë si dhe funksionaliteti i saj do të jetë i ndërthurur me zhvillimin e zonës.

“Qytetarët do të kenë mundësi të ndalen në Marinë, madje edhe të nisen me synim të përcaktuar dhe të bëhen pjesë e ngjarjeve që organizohen aty. Shërbimet si bare dhe restorante, por edhe gjithë të tjerat, do të jenë gjatë gjithë vitit në dispozicion të kujtdo që frekuenton bregdetin e jugut” – shprehet Menaxheri i projektit.

Sipas Ervin Bacaj ky port turistik do të jetë në të njëjtat nivele me marinat në vendet e ndryshme të Europës dhe atyre në vendet fqinjë. Gjithçka është e realizueshme po të kemi parasysh se vlera e përgjithshme e investimit do të jetë 2,8 miliardë lekë, e shpërndarë në tre-katër vite, kurse të ardhurat që do t’i sjellë ekonomisë së qytetit kur të fillojë funksionimi do të jenë të konsiderueshme.

K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?