Rreth 20 adoleshentë në Vlorë trajtohen me metadon në qendrën “Aksion plus” për varësinë ndaj heroinës. Mejku Krenar Malaj tha në intervistë për Report tv se numri i përdoruesve të drogës është rritur nga viti në vit. Ata gjithashtu janë të infektuar me AIDS dhe Hepatit B dhe C.
Ndërsa në total janë 75 përdorues që trajtohen në këtë qendër, tha mjeku Krenar Malaj.
“Aktualisht janë 75 përdorues të heroinës që marrin çdo ditë metadon. Referohet se ka dhe shumë të tjerë por që nuk paraqiten në qendrën tonë. Mosha e përdoruesve të heroinës janë nga 14 deri ne 50 vjeç. Moshat e reja janë pre e infektimeve. Përdoruesit e kokainës dhe hashashit paraqiten tek Toksikologjia në Tiranë”, tha Malaj.
Malaj ka ngritur edhe një tjetër shqetësim për godinat e braktisura në Vlorë, që janë kthyer në baza për injektimin e heroinës, duke sjellë pasoja të rënda për përhapjen e infeksioneve të rënda. Një prej përdoruesve të drogës është infektuar me AIDS dhe disa të tjerë me hepatit B dhe C.
“Këto që përdorin heroinë me shiringë i hedhin vend e pa vend dhe bëhen burim për infeksione. Ne kemi një person që është me SIDA dhe të tjerë me hepatit”, tha Malaj.
Metadoni është një trajtim që ndihmon përdoruesit e drogës që duan të heqin dorë duke i lehtësuar dhimbjet, por kjo nuk mjafton. Ata kanë nevojë për mbështetje nga shoqëria dhe familja.
“Duhet suport më i madh nga shërbimi shëndetësor dhe familjet sepse janë të braktisur (abandonuar). Ndaj dhe shpesh bëhen kontigjent krimi, vjedhin, etc”, tha Malaj.