Brenda 5 ditësh janë djegur me dhjetëra parcela me ullinj si dhe kullota në Vlorë. Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës, Kastriot Begaj tha se policia nuk i arreston autorët, të cilët janë lehtësisht të identifikueshëm.
"30 zjarre deri ditën e martë! këto zjarre në pemë frutore ullishte dhe bimësi. Janë zjarre të qëllimshme sepse temperaturat nuk kanë qënë të larta. Fermerët dhe blegtorët që kullosin bagëtitë vënë zjarre të qëllimshme për të pastruar kullotën kemi bashkëpunuar me policinë e shtetit nuk kemi njeri të vënë para drejtësisë. Nga sa kam informacion për ngjarjen në Bestrovë ku u dogj sasi e madhe ullinjsh di që janë në hetim në gjendje të lirë dy persona", shprehet ai.
Deri më tani numërohen rreth 100 rrënjë ullinj të djegur, përveç sipërfaqes së kullotave. Një shkak tjetër dyshohet përplasjet midis pronarëve të tokës, ndaj dhe nevojitet hetimi për këto raste. Ndërkohë i pyetur për bazën materiale dhe veshjet, Begaj tha se nuk është bërë asnjë investim në stacionin e zjarrfikëses në Vlorë.