Vlorë, 45 gra me kancer gjiri në 9 muajt e fundit! Onkologia: Po prek moshat e reja, përpos mamografisë duhet bërë edhe ekografia

10 Tetor 2023, 12:25| Përditesimi: 10 Tetor 2023, 14:33

  • Share

Kanceri i gjirit po prek gjithnjë e më shumë gratë në moshë të re ndaj onkologët bëjnë thirrje për kontrolle të vazhdueshme jo vetëm me mamografi por dhe me ekografi.

Kanceri i gjirit po shfaqet gjithnjë e më shumë tek moshat e reja. Ndryshe sa është deklaruar deri më tani se të rriskuara janë gratë mbi 50-vjec, mjekja onkologe, Juliana Cuni tha se asnjë grua apo vajzë nuk duhet të neglizhojë kontrollet.

“Ka një rritje të lehtë të rasteve të reja, por ama ka ulje të vdekshmërisë sepse gratë paraqiten në stade të hershme. Nëse deri më tani është lobuar për të bërë mamografinë, së fundmi vendin e parë e zë ekografia, sepse kanceri i gjirit po prek moshat e reja, nënat e reja sepse kanceri i gjirit prek çdo moshë”, tha dr.Çuni.

Ndërsa drejtuesi i Operatorit i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Lorenc Rexho tha se në 9 muajt e fundit, pra nga Janari në Shtator 2023 janë diagnostikuar 45 gra me kancer gjiri në Bashkinë e Vlorës.

“Gjatë gjithë vitit bëhet mamografia falas në spitalin rajonal Vlorë, ndërsa këtë muaj bëhet sensibilizim për kontrolle më të shpeshta”, tha Lorenc Rexho.

Në kuadër të tetorit rozë u zhvillua marshimi sensibilizues në qytetin e Vlorës ku morën pjesë përpos bluzave të bardha dhe drejtuesit lokalë.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?